E Diel, 1 Nëntor 2026

Odiseja e Uliksit për të folur shqip



Krenar ZEJNO
Gjashtë vjet tanimë, prej të parit botim të Uliksit shqip. Një dyzinë, nga nisma dhe vitet e barrës së përkthimit, për t’ia sjellë e anasjellë gjuhës. Një ngjarje thjesht letrare kjo, por që avitet e vjen sërisht pothuaj si një ndodhi natyre, pse “natyra e urren zbrazëtinë”. Ndërkohë, nga krijesa Ulisses – që e thënë sipas të zotit, përshfaq veprën më të gjerë e humane të shkruar në Evropë që prej Rablesë - bota e kapërceu edhe një tjetër shekull. Qysh asokohe kur një librare e imët, Silvia Beach, duke i besuar egoizmit të Xhojsit e, mbase, parandjerë se arti do ta përmbushte shekullin nën pagëzimin e tij, i dha fund odisesë së botimit. Me shfaqjen në dritë, ndonëse mes censorëve, të asaj peripecie gjuhësore revolucionare: librit, mallkuar qoftë, më të mrekullueshëm, siç “anatemoi” Heminguey duke e vërvitur në qiell. Në të njëjtën kohë e po aty pranë, Pikaso shpërthente fuqinë e pakrahasueshme të veprës për të cilën, gjatë jetës së gjatë që përshkoi poaq shekullin e tij, do t’i duhej të sqaronte: Nuk pikturoj dot në mënyrë tradicionale vetëm për kënaqësinë e të qenit i kuptuar... Jam përpjekur me vite të mbërrij këtë rezultat të mendimeve dhe, në bëj një hap prapa, kjo do të ishte fyerje për njerëzit. Refuzimit të botimit, shkruesi Xhojs i qe përgjigjur me një siguri edhe më të parevokueshme: Si të doni, i nderuar Zotëri! Por ta dini, ama, mospranimi i këtij libri, ju bën përgjegjës për vonesën e qytetërimit në vendin tuaj. Merr shkënditje, kështu, shpërthimi i manierizmit nga gjenitë gllabërues dhe shpërngulja prej jetës te kultura, duke zhvlerësuar inspirimin nga e tash-jetuara për tek e tashmë-thëna, ajo që Moravia i vë emrin: varrezë-muzé-spektakël-çarshi-ekspoze arti, dënuar me përjetësi bashkëkohore dhe avangardiste. (G. Stein, Picasso; Zenit 2008) Do të farkëtoj në kudhrën time vetëdijen e papjekur të sojit njeri, pat lajmëruar Stiven Dedalusi, zejtar e rishtar shkrimtarie. E së këtejmi, nga Portreti i artistit në rini drejt Uliksit të një dite e një qyteti (Portreti nuk është kartë identiteti, por lakorja e një emocioni. Joyce), merr udhë tërë i shkuari shekull i shkruar arti. Formësimi, gjerësia e madhështia e të cilit mbet, fundekrye, i cytur e ndikuar nga ky libër, që nuk mungon në asnjë vend ku fjala ka themeluar dhe vijon e plazmon civilizim.

Loja e Mbrëmjes
Në krye të herës, Dedalusi i mitologjisë e pat pajisur birin Ikarus me krahë ngjitur dylli, për të flatruar kah dritës, drejt diellit e për në zenit të tij, në hapësirat ku njësh me dritën e zjarrtë, flatrat shkrijnë e mbesin pa voli dhe, kësisoj, pa kuptim. Që të mbërrinte të folurën shqip, ishte Uliksi që do kërkonte tashmë haraç plot vite e rrugëtim përkthimi, përpara tyre të tjera netë me shkrime e studime paralele mbi të. Dhe një shtëpi, mes artesh, enkas në pritje të atij shfaqebotim që ish taksur të bëhej kumbar e bujtës honori edhe për të tjerë të ftuar nderi nga kumbi i letërsisë së madhe. Vjen koha kur të ngjarat bëhen ngjarje, më tej kujtime. Jo për t’i dhënë ndonjë domethënie kushedi, por së paku për t’mos i tretur në pakuptim, gjej a shfrytëzoj rastin ta cek ndonjë prej tyre. Nuk është rasti për solemnitet, për më tepër këtu e në këtë libër, e kam parasysh. Por, më vjen mirë të kujtoj, tashmë, një ag dite të veçantë: atë mëngjes që po më çelej ndër një sy të skuqur të përkthyesit.
- Mbaroi! tha. Kaq! Nuk kam hasur më një çehre me njërin sy kaq melankolik, tjetrin hipokondrik, nën një pahje gjysëm dashnori e gjysmë gladiatori, a thua po humbte edhe Uliksin arketip homerik që bartim ndër vete, apo e kish sikterisur vetë me gjithë Joyce. Kaq e kishte! Sikur të bëhej fjalë për një kryeqenie imagjinare njëqindkokëshi...

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›