E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti negativ për Kosovën, Prishtina pranon vërtetësinë



Blerina Olldashi
Raporti i hartuar nga Komisioni Europian për Kosovën, pasqyron gjendjen reale në këtë vend. Kështu shprehen përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Edhe pse nuk është bërë publik zyrtarisht, përmbajtja e këtij raporti tashmë është publikuar në mediet vendore. Konstatimi se Serbia po luan rol destruktiv, duke mbajtur struktura paralele në Kosovë, përshëndetet nga politikanët në Prishtinë, ndërkaq shihet si shumë shqetësues fakti që nxjerr raporti për shkallën e lartë të korrupsionit.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ende nuk e ka lexuar raportin final, por pavarësisht përmbajtjes, ai u zotua se Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin si sfida nga përmbajtja e këtij raporti. “Raporti gjithsesi do të jetë më pozitiv, sesa vitet e kaluara. Do të shihet qartë se cilat kanë qenë arritjet edhe në fushën legjislative, politike, ekonomike dhe atë të standardeve europiane, por do të shihen edhe sfidat që kanë mbetur”. Sipas Kuçit, raporti duhet të matet me arritjet për integrime europiane. Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se institucionet e Kosovës duhet t’i marrin me shqetësim vërejtjet që Komisioni Europian publikon në raport, në lidhje me shkallën e lartë të korrupsionit. “Sigurisht që është shqetësuese kjo, sepse ai vend, i cili pretendon të hyjë në zhvillimet integruese në të ardhmen, me një bagazh të tillë të korrupsionit, do ta ketë shumë të vështirë”. Këto rezultate, sipas Beqirit janë shumë negative, pasi qytetarët humbasin besimin te institucionet e vendit. Deputeti Beqiri përshëndeti konstatimin e Brukselit për rolin destruktiv që Serbia ka në raport me Kosovën, sidomos me mbajtjen në jetë të strukturave paralele. Kurse, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, tha se konstatimi i një shkalle të lartë të korrupsionit, mungesa e lirisë së plotë të shprehjes dhe medieve si dhe dukuritë të tjera negative mund të kenë si pasojë zvarritjet për Kosovën në proceset integruese, sidomos në atë të liberalizimit të vizave. “Raporti i progresit i KE-së paralajmëron se edhe në studimin e fizibilitetit do ta kemi këtë defekt dhe këtë mangësi. Do të thotë, Kosova del se në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe sidomos të korrupsionit, nuk ka progres”. Ndërsa KE-ja kritikon Serbinë për strukturat e saj paralele në Kosovë, përfaqësuesit e komunitetit serb thonë se këto struktura janë të domosdoshme për ekzistencën e tyre në Kosovë.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›