Prishtina kryeqytet, Sejdiu kërkon ligjin përkatës
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u bëri thirrje ekzekutivit dhe legjislativit të vendit për nxjerrjen e një ligji sa më shpejt për kryeqytetin e Kosovës, duke thënë se kjo është edhe detyrë e institucioneve të vendit. “Besoj se Qeveria duhet të ketë parasysh nevojën që ka Prishtina si kryeqytet i vendit, ashtu siç parashihet edhe me Kushtetutë, që të nxirret një ligj specifik për të, që të ketë një trajtim të veçantë, si çdo kryeqytet tjetër në Europën e Bashkuar”,- tha Presidenti Sejdiu, i pyetur nga gazetarët për zvarritjen e ligjit për Prishtinën.
Ai po ashtu tha se është detyrim nxjerrja e një ligji të veçantë, siç e kanë edhe vendet e tjera në Europë. “Eshtë borxh dhe detyrim i Qeverisë dhe Parlamentit të nxjerrin një ligj të mirë për Prishtinën, është një projekt që është ofruar si bazë e mirë, ndaj është detyrë e Qeverisë dhe e parlamentarëve ta procedojnë sa më shpejt”,- tha Presidenti Sejdiu, i cili bashkë me kreun e Prishtinës Isa Mustafa, në lagjen “Arbëria”, ku panë nga afër ecurinë e punimeve në unazës qendrore, që është njëri ndër investimet më të mëdha në kryeqytet. Ministria e Pushtetit Lokal ia ka paraqitur qeverisë për miratim projektligjin për Prishtinën, në mënyrë që t’i dorëzohet më pas Kuvendit. Por qeveria, ende nuk ia ka dërguar Kuvendit për miratim.
13 Tetor 2009