BQK, mbron marrëveshjet e fshehta

Pohimet e Komisionit Kosovar të Konkurrencës lidhur me vendimin për anulimin e marrëveshjes për sigurime, POOL, si dhe fillimin e hetimeve për një marrëveshje mes bankave komerciale, me ato që thotë Banka Qendrore e Kosovës, janë shumë kontradiktore. Përveç kësaj, BQK-ja shprehet e shqetësuar me deklarimet e kreut të KKK-së, Osman Ejupit, pasi që, sipas tyre, mund të ndikojë në dëmtimin e besueshmërisë në sistemin bankar.
Përderisa, Ejupi deklaron se e ka anuluar marrëveshjen për sigurimet kufitare, Banka Qendrore thotë se objekt i shqyrtimit nuk ka qenë marrëveshja në tërësi, por vetëm mënyra e shitjes së sigurimit kufitar.
“Objekt i shqyrtimit nga ana e Komisionit të Konkurrencës ka qenë mënyra e shitjes së sigurimit kufitar përmes bashkësigurimit apo “poolit”-it, e jo çështja e polisës kufitare”, thotë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.
Sipas tij, polisa kufitare është formë e domosdoshme e sigurimit të palëve të treta nga aksidentet që shkaktojnë motoristët me targa të huaja gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë. Gjithashtu, ai thotë se Kosova nuk është anëtarë e Këshillit të Byrove dhe kartoni i tyre i gjelbër nuk i mbulon dëmet e shkaktuar në Kosovë. BQK-ja nuk e pranon se Komisioni ka marrë një vendim për anulim, por vetëm se ka sugjeruar shfuqizimin e marrëveshjes.
Sipas Kadës, Komisioni ka ngritur për diskutim formën e shitjes së këtij produkti të detyrueshëm, për të cilin Komisioni vlerëson se është në kundërshtim me konkurrencën dhe sugjerojnë shfuqizimin e saj. Ai shton se nga Komisioni na është sugjeruar që shitja e sigurimeve kufitare të bëhet individualisht nga ana e kompanive të sigurimit në pikat kufitare.
Edhe për hetimet e paralajmëruara nga KKK-ja për marrëveshje të fshehta mes bankave për kamatat, zyrtarët e BQK-së thonë se po të ekzistonte një marrëveshje e tillë, të parët do ta merrnin vesh ata.
Edhe pse me Ligjin për konkurrencën, ky komision ka të drejtë të hetojë çdo marrëveshje për të cilën ka dyshime se e shkel konkurrencën, Banka Qendrore shprehet e shqetësuar me deklaratat e kreut të Komisionit, të cilat mund të ndikojnë në dëmtimin e besueshmërisë në sistemin bankar.
“Mbikëqyrja e bankave komerciale zhvillohet në kontinuitet përmes inspektimeve në vend dhe monitorimit nga jashtë dhe gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti asnjëherë nuk ka hasur në një marrëveshje të tillë”, thotë Kada. BQK-ja pranon se normat e kamatave vazhdojnë të jenë të larta dhe se përcaktimi i tyre, si në kredi dhe në depozita, janë çështje e ekonomisë së tregut. Megjithatë, situatën krejt ndryshe e përshkruan Komisioni për Konkurrencë. Kryetari i saj, Osman Ejupi, ka deklaruar për Express se Komisioni që ai drejton ka marrë vendim për shfuqizimin e marrëveshjes së POOL-it dhe se po hetohen bankat për kurdisje të kamatave.
“E kemi shfuqizuar rregullin 3 të Bankës Qendrore, me të cilën shfuqizohet marrëveshja e POOL-it, apo aplikimi i polisave kufitare”, ka thënë Ejupi.
Arsyeja për shfuqizim, thotë ai, është sepse kjo marrëveshje bie në kundërshtim me ligjin.
Kundër këtij vendimi, BQK-ja pati reaguar e para duke bërë ankesë për rishqyrtimin e vendimit, me të cilin anulohet kjo marrëveshje. Madje kjo zyrtarisht është pranuar nga zyrtarë të BQK-së.