E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohen eshtrat

Gjatë vitit 2009 janë bërë 78 zhvarrime, ndërsa familjarëve u janë dorëzuar 33 trupa të personave të cilët janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Këtë e kanë pohuar të martën zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë gjatë prezantimit të raportit të punës 12-mujore në identifikimin e personave të zhdukur.

Me këtë rast, zyrtarë të kësaj ministrie kanë treguar se gjatë këtij viti që po lëmë pas janë bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. “Ministria e Drejtësisë bashkë me Zyrën për Persona të Zhdukur është gjithnjë e angazhuar jo vetëm për këta tre muaj sa kanë bërë grevë nënat greviste por prej paslufte e këtej jemi gjithnjë të angazhuar të bëjmë sa më shumë që është e mundur për t’i gjetur apo identifikuar personat që janë akoma të pagjetur, e për të cilët ne kemi akoma shqetësime të mëdha”, tha ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.

Ndërsa sa i përket zvarritjes së këtij procesi, ministrja Kelmendi u arsyetua me faktin se kjo punë nuk kryhet me lehtësi, por se është punë shkencore.

Zyrtarë të MD-së pohojnë se për herë të parë pas grevës së nënave të personave të zhdukur është përdorur metoda e de-mineralizimit që sipas tyre, është një metodë më e sofistikuar për të mundësuar identifikimin e të zhdukurve.

Gjatë këtij prezantimi në zyrën për persona të pagjetur, ministrja Kelmendi tha se në këtë përudhë njëvjeçare janë marrë 365 mostra të reja dhe ato janë dërguar në Sarajevë dhe Tuzëll dhe atë vetëm për Bajna Bashtë dhe Batajnicë, për të cilat vende dyshohet se janë gjetur persona që presin për t’u identifikuar.

“160 rezultate kanë dalë pozitive prej të cilave 34 kanë rezultuar me identifikime të reja kurse të tjerat janë ribashkim i kockave të kufomave që janë gjetur. Janë kryer edhe 26 ekshumime ku janë gjetur 33 trupa dhe janë kthyer familjarëve për rivarrim njëri prej të cilëve është edhe bashkëshorti i zonjës Saraqini e cila ishte greviste me nënat kosovare”, tha Kelmendi.

Bëhet e ditur po ashtu se gjatë kësaj periudhe është përfunduar edhe dhoma-frigorifer ku do të vendosen të gjitha kufomat që janë në kontejner veç e veç, ashtu siç janë të vendosura në qeska.

Edhe drejtori i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se në veçanti, gjatë periudhës kohore dhjetor 2008-2009 është punuar me intensitet të lartë, për të ndriçuar fatin e personave të pagjetur.

“Gjithsej, operacione fushore janë bërë 135, zhvarrime kanë qenë 78 për këtë vit. Numri i mostrave të marra është 621. Ndërsa, numri i trupave të pajetë të dorëzuar është 80”, tha Gërxhaliu.

Megjithatë, ai u ankua për disa familjarë që sipas tij, nuk bashkëpunojnë pasi që ata besojnë se familjarët i kanë diku të gjallë. Gërxhaliu pohoi se janë 154 individë të identifikuar që presin dorëzim-pranimin të cilët me dëshirën e familjeve janë në pritje.

“Kemi edhe familjarë, të cilët nuk dëshirojnë t’i marrin trupat. Kjo është për faktin se familjarët ende mendojnë se i kanë të gjallë jashtë Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Alan Robinson, zyrtar nga Zyra për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore tha se ky është një proces që u takon institucioneve të Kosovës.

“Nuk është ajo çka mund të bëjë EULEX-i por çka mund të bëjmë së bashku. Ky proces i takon Kosovës”, tha Robinson.
Që nga lufta e fundit në Kosovë ende nuk dihet për fatin e 1,890 kosovarëve të zhdukur.

Periudha raportuese në periudhën 2008-2009

135 operacione fushore, duke përfshirë edhe zhvarrimet
78 zhvarrime
621 mostra të eshtrave të marra për analizën e ADN-së
101 individë të zhvarrosur
82 vizita te familjet
80 të vdekur janë dorëzuar te familjet
154 individë të identifikuar që presin dorëzim-pranimin të cilët me dëshirën e familjeve janë në pritje

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›