E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, gjoba të majme kush s'vendos kasat fiskale

Drafti parashikon pesëfishimin e gjobave për bizneset që nuk kanë vendosur pajisjet fiskale

TIRANË- Pesëfishohen gjobat për subjektet tregtare që nuk vendosin kasat fiskale. Drafti me propozimet e qeverisë ku parashikohet shumëfishimi i shumës së gjobave për bizneset u miratua dje në Komisionin e Ekonomisë dhe pritet të kalojë së afërmi edhe në seancë plenare.

Sipas ligjit aktual, nëse një biznes nuk e ka vendosur kasën fiskale gjobitet nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa, me ndryshimet e propozuara nga qeveria për gjobat, ato janë përshkallëzuar duke parashikuar edhe mbyllje të aktivitetit.

Kështu nëse konstatohet se nuk ka vendosur pajisjen fiskale si fillim subjekti gjobitet me 100 mijë lekë dhe i jepet një afat 10 ditor për vendosjen e saj, nëse përsëri brenda këtij afati ai nuk e ka vendosur ende, biznesi rigjobitet, por kësaj radhe me 500 mijë lekë por duke i dhënë edhe 10 ditë të tjera afat për ta vendosur.

Nëse edhe pas kësaj gjobe subjekti përsëri kapet pa pajisje fiskale nga punonjësit e tatimeve, merret masa për ndërprerjen e aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore. Kur vërehet se edhe pas kësaj periudhe biznesi nuk e ka vendosur pajisjen, tatimet mbyllin në mënyrë përfundimtare aktivitetin e tij.

Por edhe nëse biznesi merr përsipër vendosjen e kasës fiskale, përsëri ndryshimet në ligj parashikojnë një serë gjobash për shkeljet që presupozohet se kryhen. Kështu nëse biznesi nuk lëshon faturë për çdo shitje të bërë, herën e parë gjobitet me 100 mijë lekë, herën e dytë me 500 mijë lekë. Nëse përsëritet ligji parashikon ndërprerjen për gjashtë muaj të aktivitetit.

Ndryshimet parashikojnë edhe gjobat në rastet e mosdeklarimit të punonjësve nga ana e punëdhënësve. Kështu, çdo biznes i vogël që zbulohet se nuk ka deklaruar të punësuarit të paktën 24 orë para fillimit të punës do të gjobitet me 50 mijë lekë për secilin rast.

Për të njëjtën shkelje sipas qeverisë, çdo biznes i cili paguan TVSH dhe konsiderohet i madh paguan një gjobë me vlerë 100 mijë lekë. Në të dyja rastet krahas pagesës së gjobës, punëdhënësi duhet të shlyejë të gjithë shumën e kontributeve të papaguara

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›