BRUKSEL – BE planifikon zgjatjen e rregullave për mbrojtjen e refugjatëve ukrainas deri në vitin 2026

BRUKSEL, 11 qershor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka planifikuar të zgjasë rregullat e emergjencës për të strehuar njerëzit që ikën nga lufta në Ukrainë të paktën deri në mars 2026.
“Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar në mbrojtjen e njerëzve që ikin nga lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha sot në një deklaratë komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.
Ukrainasve që ikën në BE pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në 2022 iu dha mbrojtje e menjëhershme pasi vendet anëtare të BE-së vendosën një regjim të përkohshëm të krijuar për rastet e dyndjeve masive të njerëzve.
Përveç kësaj, personat nën mbrojtje të përkohshme kanë të drejtë për përfitime sociale, strehim, akses në arsim dhe leje pune, ndër të tjera.
Propozimi është krijuar për të shmangur procedurat e gjata kombëtare të azilit të kërkuara për të përpunuar të dhënat e një numri të madh personash të zhvendosur. Zgjatja e rregullave të përkohshme është e mundur deri në një vit.
Vendimi ekzistues ishte caktuar të përfundonte në mars 2025. Ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të BE-së do të shqyrtojnë zgjatjen e rregullave të enjten dhe të premten në Bruksel.
Komisioni raportoi se pothuajse 4,2 milionë ukrainas janë duke banuar aktualisht në BE sipas këtyre rregullave të bllokut. //a.i/