E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Sondazhi i Eurobarometrit të PE-së: Qytetarët evropianë rekord besimi në BE

BRUKSEL, 25 mars /ATSH/- Sondazhi i Eurobarometrit i kryer nga Parlamenti Evropian i publikuar sot, zbuloi një rritje të numrit të qytetarëve evropianë në nivele historike, që besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian lidhur me paqen dhe sigurinë, sipas europarl.europa.eu.

“Dy të tretat e evropianëve duan që BE të luajë një rol më të madh në mbrojtjen e tyre. Kjo është një thirrje e qartë për veprim të cilës ne do t’i përgjigjemi. Evropa duhet të jetë më e fortë në mënyrë që qytetarët tanë të ndihen më të sigurt. Parlamenti Evropian do të sigurojë që çdo propozim i paraqitur të jetë mjaft i guximshëm dhe ambicioz për t’iu përshtatur nivelit serioz të kërcënimit me të cilin përballet Evropa. Evropa duhet të rritet sot, përndryshe rrezikon të shkelet nesër”, tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Sipas sondazhit, 66% e qytetarëve të BE-së duan që BE-ja të marrë një rol më të rëndësishëm në mbrojtjen e tyre kundër krizave globale dhe rreziqeve të sigurisë. Kjo pikëpamje është veçanërisht e theksuar në mesin e të anketuarve më të rinj. Në nivel kombëtar, rezultatet për një rol më të madh të BE-së variojnë nga 87% në Suedi në 47% në Rumani dhe 44% në Poloni.

Pothuajse tre të katërtat e qytetarëve të BE-së (74%) besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga të qenit anëtar i BE-së.

Ky është rezultati më i lartë i regjistruar ndonjëherë në një sondazh të Eurobarometrit për këtë pyetje që kur është bërë për herë të parë në vitin 1983.

Duke iu përshtatur kontekstit aktual, të anketuarit përmendin kontributin e BE-së në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë (35%) si arsyeja kryesore pse anëtarësimi konsiderohet i dobishëm.

Për më tepër, ekziston një marrëveshje e gjerë midis qytetarëve të BE-së që vendet anëtare të BE-së duhet të jenë më të bashkuara për t’u përballur me sfidat aktuale globale (89%) dhe se Bashkimi Evropian ka nevojë për më shumë mjete për t’u marrë me sfidat (76%).

Qytetarët presin që BE të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen dhe të rrisë konkurrencën

Në një mjedis gjeopolitik me ndryshim të shpejtë, mbrojtja dhe siguria (36%) si dhe konkurrueshmëria, ekonomia dhe industria (32%) janë identifikuar si fushat në të cilat BE-ja duhet të fokusohet më shumë për të përforcuar pozicionin e saj në botë.

Këto janë gjithashtu temat që u shfaqën në Këshillin Evropian të javës së kaluar – ku presidentja e Parlamentit bëri thirrje për veprim më të shpejtë dhe ambicie më të guximshme.

Ndërsa rezultatet për mbrojtjen dhe sigurinë kanë mbetur të qëndrueshme në krahasim me periudhën shkurt-mars 2024, ato për konkurrencën, ekonominë dhe industrinë janë rritur me pesë pikë.

Këto dy fusha pasohen nga pavarësia energjetike (27%), siguria ushqimore dhe bujqësia (25%) dhe arsimi dhe kërkimi (23%).

Çështjet ekonomike dhe të sigurisë janë gjithashtu në krye kur bëhet fjalë për temat që qytetarët duan që Parlamenti Evropian të trajtojë si prioritet.

Katër në 10 evropianë përmendin inflacionin, rritjen e çmimeve dhe koston e jetesës (43%), të ndjekur nga mbrojtja dhe siguria e BE-së (31%), lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social (31%) dhe mbështetjen për ekonominë dhe krijimin e vendeve të reja të punës (29%).

Inflacioni, rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës është një prioritet kryesor në të gjitha grupmoshat dhe me rezultate kulmore të regjistruara në Portugali (57%), Francë (56%), Sllovaki (56%), Kroaci (54%) dhe Estoni (54%).

Siç tregohet nga sondazhi i mëparshëm i PE-së, inflacioni dhe kostoja e jetesës kishin luajtur tashmë një rol të madh si një forcë lëvizëse në zgjedhjet e fundit evropiane dhe situata ekonomike vazhdon të jetë një shqetësim kryesor për shumë evropianë.

Një e treta (33%) presin që standardi i tyre i jetesës të ulet në pesë vitet e ardhshme, shtatë pikë më shumë se në qershor-korrik 2024. Ky është rasti për 53% të të anketuarve francezë (+8 pp) dhe 47% të gjermanëve (+15 pp).

Paqja dhe demokracia mbeten vlerat kryesore të BE-së

Duke parë vlerat që evropianët do të donin që Parlamenti Evropian të mbronte, paqja (45%), demokracia (32%) dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në BE dhe në mbarë botën (22%) janë të parat. Rezultatet për këtë pyetje kanë mbetur të qëndrueshme, duke nënvizuar mbështetjen e palëkundur të qytetarëve për vlerat dhe parimet themeluese të BE-së.

Dy të tretat e qytetarëve mbështesin një rol më të madh të PE-së

Siç tregojnë linjat e prirjeve historike, në momentet e krizës qytetarët presin nga BE-ja veprime dhe zgjidhje vendimtare.

Në dekadën e fundit, ky perceptim pozitiv ishte vetëm një herë më i lartë (në 52%), në pranverën e vitit 2022 si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës. Imazhi pozitiv i PE-së është i qëndrueshëm në një nivel të lartë (41%).

Pak muaj pas mandatit legjislativ, mbi gjashtë në dhjetë (62%) qytetarë do të donin ta shihnin Parlamentin Evropian të luante një rol më të rëndësishëm, një rritje prej gjashtë pikë përqindjeje krahasuar me shkurt-mars 2024, disa muaj para zgjedhjeve evropiane të qershorit 2024. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›