DANIMARKË – Frederiksen: SHBA-ja po ushtron presion “të papranueshëm” ndaj Groenlandës

KOPENHAGË, 25 mars /ATSH/- SHBA-ja po ushtron presion “të papranueshëm” ndaj Groenlandës, sot tha kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen për transmetuesin TV2, përpara një vizite – të njoftuar nga presidenti Donald Trump – të një delegacioni të profilit të lartë amerikan në territorin gjysmë autonom danez këtë javë, sipas US News.
Vizita e delegacionit të SHBA-së, e cila zgjat nga e enjtja deri të shtunën, do të udhëhiqet nga Usha Vance, bashkëshortja e zëvendëspresidentit JD Vance, dhe do të përfshijë këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz dhe sekretarin e Energjisë, Chris Wright.
“Më duhet të them se është e papranueshme presioni ndaj Groenlandës dhe Danimarkës në këtë situatë. Dhe është presion që ne do t’i rezistojmë”, tha Frederiksen.
Delegacioni nuk ishte ftuar nga qeveritë e Groenlandës apo Danimarkës.
Brian Hughes, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, tha se delegacioni kishte për qëllim të mësonte për Groenlandën, kulturën, historinë dhe njerëzit e saj.
Frederiksen hodhi poshtë idenë e një vizite private.
“Nuk mund të bësh një vizitë private me përfaqësues zyrtarë nga një vend tjetër”, tha ajo. //a.i/