BRUKSEL – Stoltenberg: Aleatët e NATO-s të marrin në konsideratë heqjen e kufizimeve në përdorimin e armëve nga Ukraina

PRAGË, 30 maj /ATSH-DPA/- Aleatët e NATO-s duhet të “marrin në konsideratë” heqjen e kufizimeve në përdorimin e armëve të NATO-s nga Ukraina për të goditur objektivat në territorin rus, tha sot sekretari i përgjithshëm i aleancës.
“Unë besoj se ka ardhur koha për të marrë parasysh disa nga këto kufizime për t’u mundësuar ukrainasve të mbrohen me të vërtetë”, tha Jens Stoltenberg në një fjalim në Pragë, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Disa vende të NATO-s furnizojnë Ukrainën me armë pa kufizime, por disa të tjera kanë kërkuar që ato të përdoren vetëm kundër objektivave në territorin ukrainas.
Stoltenberg tha se ndërsa lufta është afruar më afër kufirit rus, Rusia ka qenë në gjendje të sulmojë forcat ukrainase nga të dy anët e kufirit.
Ai gjithashtu theksoi mangësitë në mbështetjen e deritanishme të NATO-s.
“Gjatë muajve të fundit, ne kemi parë vonesa në ofrimin e mbështetjes ushtarake të municioneve dhe boshllëqe serioze, për shembull, kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore dhe municionet”, tha Stoltenberg. //a.i/