BERLIN – Gjermania përfundon operacionin ushtarak për dërgimin e ndihmave në Gazë

BERLIN, 30 maj /ATSH-DPA/- Pas dy muajsh e gjysmë, Forcat e Armatosura Gjermane i kanë dhënë fund misionit të ndihmës ajrore mbi Rripin e Gazës.
“Një aeroplan transporti gjerman A400M u ngrit sot nga Jordania për herë të fundit”, tha ushtria gjermane.
Që nga mesi i marsit, forcat ajrore kanë hedhur rreth 315 tonë ushqim, ujë, produkte higjienike dhe ndihma të tjera për të ndihmuar popullatën.
Në vazhdim, bashkësia ndërkombëtare po përpiqet të sigurojë më shumë furnizime në territorin bregdetar palestinez nëpërmjet rrugëve tokësore dhe detare.
“Duke bashkuar forcat, ne ishim në gjendje të jepnim kontributin tonë për të lehtësuar gjendjen e njerëzve në Rripin e Gazës”, tha shefi i Forcave Ajrore Gjermane, Ingo Gerhartz. //a.i/