BRUKSEL – Vendet e BE-së kërkojnë klasifikimin e IRGC si organizatë terroriste

BRUKSEL, 27 maj /ATSH-DPA/- Shumë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, po bëjnë presion që Bashkimi Evropian ta klasifikojë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) si një organizatë terroriste në bazë të një vendimi të gjykatës gjermane, thanë sot diplomatët.
Gjermania, ndër të tjera, u ka kërkuar zyrtarëve ligjorë të BE-së që të shqyrtojnë një vendim të gjykatës në Dyseldorf që zbuloi se një agjenci shtetërore iraniane ishte përgjegjëse për një tentativë për zjarrvënie në një sinagogë.
“Diplomatët e BE-së thanë se shërbimet ligjore të BE-së kishin konfirmuar se gjykimi mund të ishte i mjaftueshëm”, sipas burimeve pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Bruksel.
Pas analizës së shërbimit ligjor të BE-së, disa vende të BE-së tani mbështesin idenë e fillimit të hapave proceduriale të nevojshme për klasifikimin e IRGC-së.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka thënë vazhdimisht në të kaluarën se është në favor të këtij vendimi.
Megjithatë, është ende e pasigurt nëse ekziston shumica e nevojshme në mesin e 27 vendeve anëtare të BE-së, për të bërë një klasifikim të tillë pasi vendimi duhet të jetë unanim.
Izraeli ka kohë që i bën thirrje BE-së që ta klasifikojë IRGC-në si një organizatë terroriste dhe vendimi i Dyseldorfit përmbush një hap të vështirë dhe të rëndësishëm.
Përcaktimi i degës së forcave të armatosura iraniane si një organizatë terroriste sipas ligjit të BE-së, ka qenë sfiduese deri më sot pasi IRGC-së së pari do të duhej të ndiqej penalisht nga një autoritet kombëtar për aktivitete terroriste.
Vështirësitë në klasifikim u theksuan pas një sulmi të madh të drejtpërdrejtë iranian ndaj Izraelit me dronë dhe raketa në muajin prill.
Deri kohët e fundit, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, krahu diplomatik i bllokut, dyshonte nëse vendimi i Dyseldorfit i plotësonte kërkesat e nevojshme për klasifikimin.
Josep Borrell, kreu i krahut diplomatik të BE-së dhe kryediplomati i bllokut, deri më tani është parë si kundërshtar i klasifikimit të IRGC-së si një organizatë terroriste në BE.
Një arsye për këtë janë përpjekjet për të bindur Iranin që t’i përmbahet një marrëveshjeje për të kufizuar programin e tij bërthamor. Kjo synon të parandalojë Iranin të ndërtojë një bombë bërthamore.
Vendimi i gjykatës së Dyseldorfit u dha dhjetorin e kaluar për një tentative për sulm në një sinagogë në Bochum, Gjermani.
Në atë kohë, një gjermano-iranian u dënua me dy vjet e nëntë muaj burgim për komplot për zjarrvënie dhe tentativë për zjarrvënie.
Diplomatët theksuan sot se klasifikimi i IRGC-së do të ishte kryesisht një hap simbolik pasi tashmë jane vendosur sanksione të BE-së kundër kësaj dege.//a.i/