VARSHAVË – Polonia kufizon lëvizjen e diplomatëve rusë pas akuzave për sulme kibernetike

VARSHAVË, 27 maj /ATSH-DPA/- Polonia do të kufizojë lëvizjen e diplomatëve rusë me arsyetimin se Rusia po angazhohet në një luftë hibride që shënjestron Poloninë dhe Bashkimin Evropian, njoftoi sot në Bruksel ministri i Jashtëm, Radoslaw Sikorski.
Sikorski tha se një notë diplomatike për këtë do të dërgohej së shpejti në ambasadën ruse në Varshavë.
Kufizimet nuk do të zbatohen për ambasadorin rus, por për të gjithë diplomatët e tjerë që punojnë në ambasadë dhe në konsullata, të cilët do të kufizohen në rajonet përreth vendndodhjeve të tyre përkatëse.
“Shpresoj se Rusia do ta kuptojë këtë si një paralajmërim jashtëzakonisht serioz”, tha Sikorski.
Sipas kryeministrit polak Donald Tusk, 12 persona të akuzuar për sabotim janë arrestuar gjatë javës së kaluar.
Polonia funksionon si një qendër kryesore logjistike për mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe si rezultat ka nxitur një përgjigje armiqësore nga Rusia.//a.i/