E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Zelensky i ftuar në samitin special të BE-së për Ukrainën në mars

BRUKSEL, 27 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është ftuar në samitin special të BE-së të javës së ardhshme për mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojtjen evropiane në Bruksel.

“Ka një moment të ri, i cili duhet të çojë në një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian António Costa në letrën e ftesës.

“Prandaj është e rëndësishme për ne të shkëmbejmë idetë – se si të mbështesim më tej Ukrainën dhe parimet që duhet të respektohen në të ardhmen”, shkroi ai.

“BE është gati të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e Evropës dhe duhet të përgatitet për një kontribut të mundshëm evropian në garancitë e sigurisë që do të jenë të nevojshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, shkroi Costa.

“Në mbrojtjen evropiane, udhëheqësit e BE-së duhet të marrin vendimet e para për një afat të shkurtër, në mënyrë që Evropa të bëhet më sovrane, më e aftë dhe më e pajisur për t’u marrë me sfidat e menjëhershme dhe të ardhshme për sigurinë e saj”, shtoi ai.

Takimi i 6 marsit u thirr për të diskutuar përgjigjen ndaj ndryshimit drastik të kursit në politikën amerikane në lidhje me luftën në Ukrainë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ishte i pari dhe deri më tani i vetmi lider i BE-së që u prit në Shtëpinë e Bardhë, informoi dje liderët e tjerë rreth bisedimeve të tij të fundit me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Uashington.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›