BSH: Bankat të shtojnë sasinë e garancisë, po rritet kredia me probleme
Ervin KOÇI
Banka e Shqipërisë u ka bërë thirrje bankave private që të shtojnë sasinë e depozitave të garancisë në vend të investimeve të tjera, pasi portofoli i kredive me probleme po rritet ndjeshëm. BSH-ja evidenton në raportin e fundit të saj mbi zhvillimet në sistemin financiar në vend, se portofoli i kredive me probleme po rritet me shpejtësi duke iu afruar kufirit maksimal prej 10 për qindësh të portofolit total. Sipas BSH-së, “rritja e fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë, do të vazhdojë të ndikojë në paqëndrueshmërinë e rezultatit financiar. Rezultati më i ulët financiar i veprimtarisë, do të ofrojë një mbështetje më të ulët të zgjerimit të veprimtarisë me burime të brendshme, duke kërkuar një angazhim të qëndrueshëm të aksionerëve të bankave”. Raporti tregon më tej se në 6-mujorin e parë të vitit 2009, kredia u rrit me 6.3 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë një vit më parë. Sipas BSH-së, gjatë kësaj periudhe ecuria e sistemit bankar e ndikuar nga kriza financiare ndërkombëtare, reflektoi një ndalesë të rritjes së sektorit bankar. Ndërsa pjesa tjetër e tregut financiar, vëren BSH-ja, e përfaqësuar kryesisht nga shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, fondet e pensionit dhe shoqëritë e kursim-kreditit, ka shënuar një rritje të mirë të veprimtarisë. Sipas BSH-së, për sektorin bankar, në fund të muajit qershor, totali i mjeteve mbeti pranë nivelit të tij në fund të vitit 2008, në vlerën rreth 832 miliardë lekë.
Përdorimi i kredive
Stoku i kredisë për ekonominë shqiptare u rrit me 4 miliardë lekë, (rreth 31 milionë euro) në muajin gusht në krahasim me korrikun, kryesisht si pasojë e rritjes së kredisë në lekë për biznesin, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të BSH-së. Kërkesa e biznesit për kredi ka sjellë shumicën dërrmuese të rritjes, ndërkohë që kredimarrja nga individët ka qenë e dobët. Në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, kredia është rritur me 16 për qind, por një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje është thjesht ndryshim statistikor i krijuar nga zhvlerësimi i lekut përballë euros, gjë që i bën kreditë në euro të duken më shumë. Të dhënat mbi kredinë raportohen në lekë. Gjatë gushtit, bankat akorduan 106 milionë euro kredi të re për ekonominë, shifra më e lartë mujore e kredituar gjatë këtij viti, duke dhënë shenja rigjallërimi të shpejtë të këtij sektori. Por rreth 60 për qind e kësaj kredie qe me afat maturimi prej më pak se 6 muaj, pra është kredi për kapital qarkullues, gjë që dëshmon për vështirësi të konsiderueshme që po has sektori real i ekonomisë shqiptare. Kredia e re në lekë gjatë gushtit qe 7.8 miliardë lekë. Shumica dërrmuese qe me afat maturimi nën tre vjet. Ekspertët po flasin për rënie të interesit të kompanive dhe individëve për të hyrë në marrëdhënie huamarrjeje afatgjata me bankat në kushtet e pasigurisë ekonomike.
Kredia në lekë
Bankat japin më shumë kredi në monedhën vendase se në valutë. Sipas raportit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, kredia në lekë u rrit me 9.4 për qind kundrejt 3.5 për qind për kredinë në valutë. Ndërkohë, duke konsideruar rritjen vjetore (në terma absolutë) të kredisë sipas monedhave, portofoli i kredisë në lekë dhe ai në valutë prezantojnë ritme rritjeje thuajse të njëjta, përkatësisht 35.2 për qind dhe 35.8 për qind. Megjithatë, në terma absolutë, rritja e kredisë në valutë ka qenë ndjeshëm më e lartë duke tejkaluar me më shumë se 2.5 herë rritjen absolute të kredisë në lekë.
Banka e Shqipërisë: Të krijohet Bursa
Sistemi bankar vijon të jetë i vetmi që plotëson nevojat e biznesit dhe ekonomisë në tërësi për financime, duke u përfshirë kështu edhe më shumë me spektrin e rreziqeve. Banka e Shqipërisë i ka kërkuar qeverisë dhe autoriteteve të tjera publike që të mundësojnë aktivizimin e tregut të kapitalit, në mënyrë që ekonomia të ketë më shumë hapësira financimi. Kërkesa erdhi fill pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së ku u shqyrtua stabiliteti financiar për 4-mujorin e parë të vitit. “Për gjetjen e ekuilibrave më të mirë të zhvillimit edhe në sistemin financiar, do të ishte e nevojshme të hartoheshin politika që do të nxisnin zhvillimin më të shpejtë të sektorit financiar jobankar, që do të mbështesnin krijimin e tregjeve të kapitalit dhe të borxhit për subjektet private”,- thuhet në deklaratën e BSH-së. Realizimi i këtyre objektivave do të kërkonte paraprakisht forcimin e standardeve të raportimit financiar, plotësimin, saktësimin dhe përmirësimin e zbatimit të kërkesave ligjore për zhvillimin e marrëdhënieve të një biznesi dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të kreditorëve e të konsumatorëve të institucioneve e të produkteve financiare. Në terma më praktikë, këto masa do të zgjeronin burimet e financimit për zhvillimin ekonomik, duke ulur relativisht në këtë mënyrë varësinë e tij prej sektorit bankar. Gjithashtu është e nevojshme që, duke përfituar prej përvojës së tyre dhe të vendeve që u prekën drejtpërdrejt nga kjo krizë financiare, autoritetet publike që janë përgjegjëse për rregullimin e tregut financiar në vend, duke përfshirë edhe qeverinë, të rishikojnë dhe të përmirësojnë kuadrin e masave për përballimin me eficiencë të situatave të ngjashme në të ardhmen. Veprimet e autoriteteve publike në këtë kuadër, duhet të përfshijnë veprimet për parandalimin, për përballimin dhe për eliminimin e pasojave të krizës financiare.
SME-të, në 9 muaj u financuan 13 projekte të sektorit privat
Mbi 13 ndërmarrje të vogla dhe të mesme po përfitojnë nga kredia e dhënë nga qeveria italiane prej 25 milionë eurosh në ndihmë të këtij biznesi, në kohën kur bankat e kanë "shtrënguar dorën" në dhënien e kredive. Drejtore e Programit të kredisë italiane për SME-të, Laura Grezhda, u shpreh gjatë një takimi me donatorë të zhvilluar në Tiranë se deri tani janë disbursuar 3.2 milionë euro, nga 25 milionë euro që është fondi i përgjithshëm. Sipas saj, norma e interesit të kredisë është 5.5 për qind, dhe kanë përfituar biznese në rrethe të ndryshme të vendit. Kredia ka një vlerë prej 25 milionë euro dhe po shpërndahet për bizneset shqiptare nga 5 banka tregtare në vend. Bizneset që përfitojnë nga kjo kredi duhet që 51 për qind të kapitalit ta kenë shqiptar, të mos kenë më shumë se 250 punonjës, si dhe të kenë një xhiro vjetore prej 5 milionë euro. Subjektet duhet që 70 për qind të shumës së përfituar ta përdorin për të blerë pajisje, makineri ose lëndë të parë për prodhim. Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për këtë kredi është bërë në dhjetor të vitit 2008, ndërsa si projekt filloi zbatimin në janar të vitit 2009.
Dimri në prag, rriten çmimet e naftës dhe gazit
Temperaturat vazhdojnë të bien me ardhjen e hershme të dimrit por acari po ndihet edhe në bursë. Ndërsa kartëmonedha amerikane ka vazhduar rënien, çmimet e naftës dhe gazit po rriten duke fituar gjithnjë e më shumë terren. Një fuçi naftë në bursën amerikane dhe në atë të Singaporit u këmbye me 75 dollarë, çmimi më i lartë ky në të gjithë vitin 2009. Shenjë e qartë kjo e optimizmit mbi rimëkëmbjen ekonomike të globit e si rrjedhojë të kërkesës për naftë. Ndër arsyet e kësaj rritjeje të ndejshme analistët radhisin së pari dollarin. Rivalja euro u ngrit në nivelin më të lartë të këmbimit që nga gushti i vitit 2008. Një euro u këmbye me 1.48 dollarë. Ekspertët parashikojnë që deri sa normat e interesit në Shtetet e Bashkuara të rriten, dollari nuk do të rimëkëmbet. Çmimet e produkteve në bursë janë të gjitha të influencuara nga kriza ekonomike nga e cila varet edhe tregu i valutës. Faktori i dytë është sigurisht nevoja për energji që sa vjen e rritet me uljen e temperaturave, gjë që si rrjedhojë do të çojë detyrimisht në rritjen e çmimit të gazit dhe naftës.
16 Tetor 2009