E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja me Greqinë, opozita ankimohet në Gjykatën Kushtetuese



Shaban Sulçe

Gjashtë parti të opozitës, të kryesuara nga Partia Socialiste, kanë nënshkruar dje draftin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Drafti është nënshkruar gjatë takimit që kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi me kreun e PDK-së, Nard Ndoka, me kreun e PLD-së, Spartak Ngjela, kreun e G99-s, Erion Veliaj, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi dhe kreun e PDS-së, Paskal Milo. Drafti është përgatitur nga deputeti socialist Saimir Tahiri dhe objekti i ankimimit është Marrëveshja që ka nënshkruar qeveria shqiptare me qeverinë greke për dhurimin e territorit ujor shqiptar.

Gjykata Kushtetuese
Drafti i nënshkruar nga opozita do të depozitohet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Kushtetuese. Partitë opozitare do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të rrëzojë Marrëveshjen midis dy vendeve, pasi sipas opozitës, një marrëveshje e tillë përbën shkelje të rëndë të sovranitetit territorial të vendit. Opozita synon të bllokojë dhe të rrëzojë këtë marrëveshje edhe pa qenë e pranishme në Kuvend. Për këtë arsye, rrugëzgjidhja është parë te Gjykata Kushtetuese, për të cilën ajo do të depozitojë ankimimin. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ta cilësuar të paligjshme këtë marrëveshje do të bënte që Kuvendi i Shqipërisë të mos kishte mundësinë që të ratifikonte Marrëveshjen e nënshkruar midis dy vendeve.

Takimi

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ftoi dje në takim krerët e partive opozitare të majta dhe të djathta për të nënshkruar draftin e ankimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes së shumëpërfolur. Të pranishëm në takim kanë qenë aleatët e majtë të PS-së, Gjinushi, Milo e Veliaj, krerët e partive të djathta, Ngjela dhe Ndoka, si dhe ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi. Krerët e opozitës e kanë cilësuar si mjaft të domosdoshëm ankimin në Gjykatën Kushtetuese të kësaj marrëveshjeje, pasi sipas tyre, ajo po bëhet në fshehtësi të plotë dhe, mbi të gjitha, po cenon sovranitetin territorial të vendit. Pas takimit, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha: “U ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila, pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që e përfaqësojnë vendin tonë duhet ta përfaqësojnë denjësisht, si të barabartë mes të barabartëve. Në respekt të plotë të fqinjësisë së mirë, në respekt të plotë të miqësisë tradicionale, në respekt të plotë të ardhmërisë së dy popujve tanë dhe në funksion të atyre interesave që asnjëherë nuk mund të negociohen dhe aq më pak të preken për arsye që për momentin janë shumë shumë të errëta”.

Ngjela: “Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë draftin me urgjencë”

Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, shpjegoi se opozita e konteston Marrëveshjen për dy arsye; cenimin e territorit dhe mungesën e transparencës. Ai tha se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë me urgjencë në shqyrtim këtë ankesë së opozitës. “Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë me urgjencë, duke i vënë Parlamentit në dijeni faktin se edhe sikur të gjithë deputetët të jenë dakord unanimisht, ndëshkohen penalisht në rast se kjo provohet. Dhe kjo nuk ka pse të mos provohet, sepse në rast se nuk do të ishte territor shqiptar 250 km2, nuk do kishte nevojë për marrëveshje. Atëherë Shqipëria çedon nga territori i saj dhe ky është krim i rëndë. Gjej rastin t’i them Presidentit të Republikës të jetë i vëmendshëm dhe ta shohë me përparësi këtë çështje. Po degradon situata në sens negativ, ku janë manipuluar zgjedhjet dhe po bëhen marrëveshje të dyshimta. Kjo është arsyeja që sot është imperative çështja e demokracisë dhe e lirisë në Shqipëri, sepse me sapo shohim, kemi të bëjmë me një grup njerëzish që mund të shesin gjithçka. Gjykata Kushtetuese nuk e merr dot në shqyrtim pasi ratifikohet, sipas Kushtetutës, e merr vetëm përpara”, - tha Ngjela.

Veliaj: “Kemi besim te vendimi i Gjykatës Kushtetuese”

Kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, tha se shpresonte që Gjykata Kushtetuese të merrte një vendim të drejtë dhe të mos politizohej. “Tashmë kemi nënshkruar të gjitha partitë një deklaratë me të cilën i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që të shprehet për pakushtetutshmërinë dhe shkeljen e ligjit që kjo marrëveshje konsiston në shitjen e ujërave detare shqiptare Greqisë. Nesër do të depozitojmë këtë deklaratë me firmat e të gjithë kryetarëve të partive. Ajo që duam t'i kujtojmë Ilir Metës dhe Sali Berishës është se duke shtyrë ratifikimin e Marrëveshjes, praktikisht po na thonë ne që janë duke e shtyrë tradhtinë e Shqipërisë për një kohë më të vonë. Ne nuk biem dakord me këtë qartazi, sepse nuk besojmë se mund të jesh shqiptar part-time. Ose je shqiptar, ose nuk je i tillë. Kjo do të thotë që çdo karagjoz, qoftë ky kryeministri apo zëvendësi i tij, që na e thonë që po e shtyjnë këtë tradhti thjesht për një kohë më të vonë. E çojmë në Gjykatën Kushtetuese sepse është gjykata e vendit tonë, ndaj edhe kemi besim të plotë që Gjykata Kushtetuese nuk do të vazhdojë të politizohet dhe do të pranojë që po flasim për territor shqiptar, për një gjë që precedentët kanë treguar që është territor shqiptar. Gjykata e Hagës ka treguar që tashmë është territor shqiptar, kështu që besojmë që do të kemi një vendim shqiptar nga një gjykatë shqiptare. Kjo është e vetmja shpresë për ta avancuar këtë në anën ligjore”, - tha Veliaj.

Opozita, protesta ditën kur Kuvendi do të votojë për Marrëveshjen

Opozita do të organizojë dy protesta të njëpasnjëshme të enjten e ardhshme për të kontestuar Marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Protesta do të zhvillohet ditën e enjte, ditë kur është parashikuar që të merret në shqyrtim nga Kuvendi marrëveshja në fjalë. Protesta do të zhvillohet përpara selisë së Kryeministrisë, selisë së Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme. Një gjë e tillë u pohua nga kreu i G99-s, Erion Veliaj. “Do të përballen me të gjithë revoltën qytetare. Ajo që do të organizojmë ditën e enjte, në mbledhjen e ardhshme të Parlamentit, janë 2 protesta, një para godinës së Ministrisë sëë Jashtme. Protesta e dytë do jetë një orë më vonë, në orën 5, kur mblidhet Parlamenti me të gjithë të rinjtë e Shqipërisë. Ftoj me këtë rast të gjithë ata djem dhe vajza të reja, që besojnë që të jesh shqiptar nuk ka dalë jashtë mode dhe është po aq europiane të jesh patriot sa dhe çdo vend tjetër, ndaj u kërkoj të gjithë të rinjve shqiptarë që të na bashkohen në orën 4, të enjten e ardhshme, përpara Ministrisë së Jashtme dhe në orën 5 para Kuvendit të Shqipërisë, për të treguar që burrat, vajzat, djemtë e ndershëm të Shqipërisë nuk mungojnë, do të jenë aty atë ditë për të reaguar”, - tha Veliaj.

Imami, takim me gazetarët, sqaron Marrëveshjen me Greqinë

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka organizuar dje një takim me gazetarët dhe drejtuesit e mediave të shkruara dhe vizive në vend. Qëllimi i këtij takimi ka qenë shpjegimi lidhur me përmbajtjen dhe detajet e Marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe qeveria greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe një prej ekspertëve ligjorë të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka kontribuar në hartimin e kësaj marrëveshjeje. Të pranishmëve u është ofruar informacion lidhur me këtë marrëveshje, të cilën zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes e kanë cilësuar si shumë të rëndësishme, pasi përcakton kufijtë ligjorë midis dy vendeve. Ky ishte një hap shumë pozitiv nga ana e ministrit Imami, i cili krijoi një tablo të qartë të kësaj marrëveshjeje, sidomos po të kihet parasysh fakti se qeveria është akuzuar nga opozita dhe shoqëria civile se po përpiqet të fshehë transparencën në lidhje me këtë çështje. Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu në takim se ishte i gatshëm që të ofronte informacion dhe të diskutonte edhe me ekspertët e Partisë Socialiste, në kushtet kur PS-ja po mungon në seancat e Kuvendit.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›