GJIROKASTËR-TIRANË. Hashash Lazarati në autobusin e udhëtarëve që vinte drejt Tiranës
Një kilogram marijuanë e sekuestruar dhe një person i arrestuar në flagrancë ka qenë bilanci i një aksioni të ndërmarrë dje nga forcat e policisë së Gjirokastrës në një nga autobusët e linjës “Gjirokastër-Tiranë”. Burimet policore konfirmojnë se ato kishin marrë informacion paraprak në rrugë operative se pikërisht në autobusin e linjës së orës 23:00 Gjirokastër-Tiranë, me targa GJ 61 52 A, do të ishte një çantë me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, me destinacion Tiranën. Menjëherë nga ana e policisë është ngritur një pikë kontrolli në vendin e quajtur “Agjencia e qytetit Tepelenë”, e vendosur në aksin rrugor Gjirokastër-Memaliaj dhe sapo autobusi është afruar në qytetin e Tepelenës, ai është ndaluar nga postblloku i policisë, i ngritur për këtë qëllim. Më pas, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në këtë automjet, rezultoi se në këtë autobus, poshtë ndenjëses së shoferit është gjetur një çantë ku brenda saj, poshtë disa rrobave, ishte një pako e mbështjellë në formë të çrregullt e mbushur me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, me peshë 1 kilogram.
Hetimet
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se kjo çantë i përkiste Spiro Pepes, 56 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj, faturino i autobusit, i cili u arrestua menjëherë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet e tjera i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283 i Kodit Penal. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po zbaton metodë të re për të forcuar luftën kundër mbjelljes së kanabisit në vendin tonë. Të gjendur përballë informacionit të pakët operativ mbi zonat me kanabis, drejtuesit e strukturave të Policisë i kanë kërkuar ndihmë palës italiane për të intensifikuar më shumë zbulimin e këtyre zonave. Për verifikimin e këtyre zonave po përdoret vëzhgimi me helikopter dhe më pas fotografimi. Këto foto janë përmbledhur në forum katalogu dhe në varësi të zonës i është dërguar Drejtorisë së qarkut për asgjësimin e bimëve narkotike.
Hashashi
Edhe pse të fshehura me pemë të tjera më të gjata dhe të mbjella në zona malore ku rrallëherë mund të kalojnë njerëzit, sërish policia ka bërë të mundur zbulimin e zonave me kanabis. Burime nga policia treguan se personat që merren me këtë veprimtari të jashtëligjshme kanë nisur t’i perfeksionojnë çdo ditë e më tepër metodat për mbjelljen me kanabis. Duke qenë se kjo lloj bime kërkon shumë ujë, tubacionet për vaditjen i kishin lidhur me burime malore duke shmangur totalisht vëmendjen e banorëve të zonës. Policisë, për të identifikuar zonën, i është dashur harta e përgatitur në katalog. Në këtë mënyrë është vepruar në Gjirokastër, Vlorë, Krujë dhe pritet që shumë shpejt të veprohet edhe në zona të tjera. Po me këtë metodë është realizuar edhe operacioni i koduar “Era e Jugut”.
Makinat e vjedhura, Prokuroria kthen 40 mjete te pronarët
Vetëm gjatë këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me autoritetet britanike dhe italiane, ka kthyer në destinacionin e tyre 40 automjete të vjedhura të markave të shtrenjta, me pronarë shtetas të huaj. Sipas komunikatës për mediat të këtij institucioni, në bashkëpunim me disa prokurori në rrethe, tre makinat e fundit u kapën në Vlorë, Durrës dhe Kukës. Automjetet ishin të tipit Automjeti tip “BMW X5”, automjeti tip “BMW X3”, “Audi Q7”. Automjeti “BMW X5” i është kthyer shtetit anglez, ndërsa dy makinat e tjera, automjeti tip “BMW X3” dhe “Audi Q7” i janë kthyer shtetit italian. Prokuroria e Përgjithshme do të vazhdojë aksionin për kthimin e automjeteve të vjedhura dhe sipas saj, shumë shpejt pritet të realizohet rikthimi i automjeteve, të cilat prej kohësh qarkullojnë në Shqipëri, por që pronarët e ligjshëm gjenden jashtë saj.
Një 16-vjeçar plagoset me automatik nga shoku i tij
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në lagjen “Agjencia” në Gramsh, kur 16-vjeçari me iniciale T. R. është plagosur me një plumb në gjoks. Ai u transportua menjëherë në Spitalin e Gramshit dhe pas mjekimit të parë u nis drejt Spitalit Ushtarak për një mjekim më të specializuar. Ndërkohë, në vendngjarja mbërritën oficerët e policisë për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se adoleshenti është plagosur nga shoku i tij me iniciale E. A., 15 vjeç. Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht. Dy shokët po luanin me armë kur ajo u shkreh nga pakujdesia dhe plumbi preku në gjoks 16-vjeçarin. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit tip automatik
16 Tetor 2009