E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji për heqjen e makinave të zyrtarëve, përfitojnë prokurorët



TIRANË – Që nga dita e sotme do të jetë një numër shumë i vogël zyrtarësh të lartë që do të kenë makina në dispozicion. Mbrëmë kaloi në Kuvend projektligji, i cili ka favorizuar edhe prokurorët, të cilët do të kenë në dispozicion automjete në ushtrimin e detyrës. Gjatë debateve në Kuvend, kanë qenë të shumtë deputetët që kanë bërë propozime në lidhje me draftin, por zoti Berisha ka propozuar që të ruhet i njëjti trajtim për transportin vetëm për punonjësit e organit të akuzës. Ligji iu heq të drejtën funksionarëve të lartë publikë të kenë në përdorim makina me targë zyrtare. Ligji përjashton nga ky rregull vetëm një numër zyrtarësh të lartë të shtetit, si Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, kryetarin e opozitës dhe disa funksionarë të tjerë.
Pjesa tjetër e zyrtarëve do të trajtohen sipas këtij ligji, me një bonus financiar të përmuajshëm, ku vend të parë në trajtim kanë deputetët dhe kryetarët e bashkive të mëdha të vendit. Efekti financiar, sipas trajtimeve të përcaktuara në këtë projekt, në total është 206 milionë lekë në vit, ku përfitojnë rreth 450 persona.
Sipas këtij projektligji 3 500 makina zyrtare do të dalin në ankand ndërsa vetëm 374 makina do të kenë mundësi të parablihen nga zyrtarët që i kanë poseduar. Zyrtarët do të mund të marrin një shumë mujore për transport.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›