Dosjet e bujshme kthehen në treg pune për avokatët kryesisht
Laureta Rryçi
Dosjet e bujshme nëpër gjykata janë kthyer në treg pune për dhjetëra avokatë kryesisht. Deri dje ata rropateshin nëpër dyer gjyqtarësh për t’i caktuar ndonjë masë sigurie. Prej disa muajsh ata jo vetëm që nuk interesohen më për këto masa sigurimi, por tashmë e kanë gjetur zgjidhjen për të pasur më shumë të ardhura financiare në fund të muajit. Disa prej tyre qëndrojnë në sallat ku zhvillohen proceset gjyqësore me shumë të pandehur. Në këtë mënyrë ata kanë më shumë shanse që kolegjet penale t’i përzgjedhin si avokatë kryesisht në dosje. Ata marrin pagesë edhe për një seancë të vetme që pranojnë të marrin përsipër mbrojtjen dhe të njihen me aktet që ka dosje. Zakonisht, pjesa më e madhe një seancë marrin, por ka edhe nga ata që vazhdojnë më tej. Jo më larg se dy ditë më parë, një nga ish-ushtarakët që akuzohet për tragjedinë e Gërdecit, i kërkoi gjykatës që t’i caktonte një avokat kryesisht për shkak se nuk kishte të ardhura financiare për të siguruar mbrojtjen. Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar tarifat për avokatët kryesisht. Për të gjithë ata qytetarë që kanë probleme me Drejtësinë, por nuk kanë mundësi financiare të marrin një avokat, do të vijë në ndihmë shteti duke u garantuar një mbrojtje ligjore. Tarifat përcaktojnë se sa do të paguhen avokatët kur marrin një dosje qoftë në themel, ashtu edhe për të qenë vetëm në një masë sigurie. Tarifat ndryshojnë në varësi të mbrojtjes ligjore që jepet sipas Gjykatës ku ndodhet dosja. Ato vijnë duke u rritur nëse dosja po gjykohet në Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese.
Përfituesit
Deri tani më shumë këto shërbime konkretizohen në masat e sigurisë, ku janë më të shumta kërkesat e të pandehurve që kërkojnë një mbrojtje kryesisht. Një procedurë e tillë ndiqet edhe në gjykatat e tjera, por për shkak të natyrës së punës numri i këtyre avokatëve është më i vogël. Kohët e fundit drejtues të Zyrës së Buxhetit Gjyqësor patën deklaruar se është hedhur ideja që të rriten tarifat për këto kategori avokatësh në mënyrë që të rritej dhe puna profesionale e tyre duke e parë shërbimin më me seriozitet. Megjithatë, këto deklarata ende nuk janë hedhur në një vendim zyrtar dhe për pasojë janë në fuqi ende tarifa të përcaktuara vite më parë. Gjyqtarët e gatshëm, në zbatim të ligjit, kanë të drejtë të pranojnë në masa sigurie vetëm këta avokatë. Eksperienca ka treguar se kjo alternativë juridike që u jepet të gjithë të arrestuarve ka ndikuar pozitivisht për të mbrojtur të drejtat e tyre. Edhe pse ka raste kur këta avokatë heqin dorë nga mbrojtja e këtyre klientëve për shkak të tarifave të ulëta që ka përcaktuar shteti për seanca gjyqësore. Sipas statistikave të Gjykatës së Faktit të Tiranës, një përqindje e konsiderueshme e të arrestuarve detyrohen të zgjedhin avokat kryesisht. Një pjesë e bën këtë zgjedhje për arsye të vështira ekonomike dhe pjesa tjetër për shkak të krimit që mund të ketë kryer duke mos u kujdesur për të asnjë nga të afërmit. Kjo e fundit ka të bëjë me të gjitha ato raste kur kemi të bëjmë me krim brenda familjes.
Avokatët
Ndihma juridike parësore dhe ndihma juridike dytësore jepen vetëm nga personat që ushtrojnë profesionin e avokatit. Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike përcaktojnë listën e avokatëve që autorizohen në përputhje me këtë ligj të japin ndihmë juridike, si dhe vendin e shtrirjes së veprimtarisë së tyre. Nëse është e nevojshme, Komisioni dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë mund të organizojnë konkurs për përcaktimin e avokatëve që do të japin ndihmë juridike. Avokatët kryesisht do të monitorohen për cilësinë e ndihmës juridike që do të japin. Për këtë monitorim është përcaktuar që të realizohet nga Komisioni Shtetëror për ndihmën juridike. Me kërkesë të të interesuarit, kryesisht apo me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, Komisioni verifikon dhe kontrollon cilësinë e ndihmës juridike për një rast konkret dhe në bazë të rezultateve, ka të drejtë të zgjidhë kontratën e shërbimit me avokatët e autorizuar për dhënien e ndihmës juridike. Rezultatet e kontrollit do t’i dërgohen Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe mund të shërbejnë si bazë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve.
Boc
Kur kthehen shpenzimet
Në rast se përfituesi i ndihmës juridike, në përfundim të procesit gjyqësor, përfiton rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore të parapaguara, ai detyrohet t’i kthejë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike shpenzimet e kryera nga ky i fundit, për ofrimin e ndihmës juridike në çështjen përkatëse. Personi që ka përfituar ndihme juridike, duke paraqitur të dhëna të rreme ose të pavërteta, përfshirë edhe të dhënat për gjendjen e tij financiare, është i detyruar të kthejë të gjitha shpenzimet e kryera për ofrimin e kësaj ndihme. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike, në formën e përfaqësimit në gjykatë, për një çështje civile ose administrative, duhet të paraqitet personalisht nga kërkuesi apo përfaqësuesi i tij, i autorizuar me prokurë. Formulari i kërkesës dhe dokumentet shoqëruese përcaktohen me vendim të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.
Përfaqësimi në çështjet penale
Dhënie e mbrojtjes për ndalimet e arrestimet, deri në seancën e caktimit të masës së sigurimit, 15 000 lekë
Ndihmë juridike për hetimet paraprake, deri në dërgimin e çështjes në gjykim:
a) Për kundërvajtje, 20 000 lekë
b) Për gjykimet në shkallë të parë, 50 000 lekë
Ndihmë juridike në Gjykatën e Shkallës së Parë
a) Për krimet që parashikohet dënim deri në 5 vjet, 30 000 lekë
b) Për krimet që parashikohet dënim mbi 5 vjet, 80 000 lekë
Shërbime juridike (përfaqësimi) në Gjykatën e Apelit, 40 000 lekë
Shërbime juridike (përfaqësimi) në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, 50 000
Përgatitje kërkesa ankimore dhe të tjera, 10 000
Këshillime juridike për çdo orë 500-1500
Shërbimi për të miturit do të jetë sa gjysma e tarifave të sipërme
Përfaqësimi për çështjet civile
Përfaqësimi në Gjykatën e Shkallës së Parë, pa palë, 15 000
Përfaqësimi në Gjykatën e Shkallës së Parë, me palë, 40 000
Përfaqësimi në Gjykatën e Apelit, 45 000
Përfaqësim në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, 60 000
Përgatitje e kërkesave ankimore, 15 000
Rekurseve dhe kërkesave në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, 25 000
Këshillime juridike, 1 000
16 Tetor 2009