Atentat në Krujë, qëllohet me pistoletë një 40-vjeçar
Një “xing” me makina ka pasuar me një debat mes dy personave tri ditë më parë në Krujë, ndërsa ditën e djeshme njëri prej tyre dyshohet se është hakmarrë duke i zënë pritë me qëllim për të vrarë. Atentati ndodhi ditën e sotme, kur 40-vjeçari Petrit Bafti ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Laçit, në rrugën e vjetër Thumanë-Laç, në dalje të qendrës së Thumanës, kur një person që udhëtonte me një automjet tip “Benz” i ka prerë rrugën dhe më pas e ka qëlluar dy herë me pistoletë. Bafti ka rënë menjëherë mbi timon, ndërsa autori u largua me shpejtësi për t’u shpëtuar prangave të policisë. 40-vjeçari i plagosur u transportua menjëherë në spital, nga ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa policia nisi hetimet për të identifikuar autorin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se Bafti tri ditë më parë është përplasur me një makinë dhe për pasojë ka pasur një debat me drejtuesin e makinës. Dyshohet se personi me të cilin 40-vjeçari ka debatuar tri ditë më parë të ketë marrë hak duke i prerë rrugën dje me qëllim për ta vrarë. Megjithatë, burimet policore shtuan se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur me saktësi rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Arrestohet një person për trafik klandestinësh, u merrte nga 300 euro
Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar 42-vjeçarin Artur Muçaj, lindur dhe banues në Berat, pasi u kap në flagrancë duke u dhënë ndihmë për të kaluar përtej kufirit tre personave në pikën kufitare të Kakavijës, kundrejt përfitimit 300 euro për secilin. Sipas të dhënave policore, Muçaj, së bashku me tre persona të tjerë, dy femra dhe një mashkull po nga Berati, janë kthyer nga policia greke në Kakavijë si deportivë. Nga informacionet e marra në rrugë operative dhe nga intervistimi i të kthyerve rezultoi se Artur Muçaj i kishte ndihmuar këta 3 persona për të kaluar kufirin jeshil në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek kundrejt fitimit 300 euro për person. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale dhe u bë ndalimi i personit të lartpërmendur për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Elbasan, denoncon arratinë e gruas dhe të fëmijës 1-vjeçar
Gruaja ka ikur në Kosovë pas një sherri në familje, duke marrë me vete vajzën vetëm 1 vjeçe, të cilën e shfrytëzon atje për të fituar para. Ky ka qenë denoncimi i mbërritur pranë Komisariatit të Policisë së Elbasanit nga 39-vjeçari Ardian Osmani, në ngarkim të bashkëshortes së tij, Valentina Misha, 34-vjeçare, që të dy lindur dhe banues të këtij qyteti. Burimet policore bëjnë me dijeni se çifti në fjalë kishte dy vjet martuar dhe para 3 javësh, si pasojë e një konflikti, gruaja është larguar nga banesa së bashku me vajzën 1 vjeçe në drejtim të Ferizajt në Kosovë, ku sipas bashkëshortit të saj, atje nuk është e punësuar, por shfrytëzon vajzën e vogël me qëllim për të fituar të ardhura. Nga ana e policisë u bë shpallja në kërkim policor për Valentina Mishën dhe vajzën e saj, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të “trafikim i të miturve”, e cila parashikohet nga Neni 128/b i Kodit Penal.
16 Tetor 2009