E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Deficiti tregtar u thellua me 6 milionë euro

19/09/2009  Në tremujorin e dytë eksportet shënuan një rënie vjetore prej 25 për qind

Bien remitancat dhe rriten detyrimeve financiare të Shqipërisë ndaj botës

Banka e Shqipërisë raporton një thellim të deficitit tregtar të vendit në tremujorin e dytë të këtij viti, me më pak eksporte drejt vendeve të tjera dhe me më pak importe. Sipas analizës së të dhënave të BSH-së, vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009 shënoi 957 milionë euro, me një rënie vjetore prej 12 për qind. “Shitblerja e mallrave përfaqësoi rreth 43 për qind të veprimeve korente. Eksportet shënuan një rënie vjetore prej 25 për qind dhe vlerësohen në 195 milionë euro. Ndërkohë që për importet u paguan 762 milionë euro ose 7 për qind më pak se një vit më parë. Deficiti tregtar u thellua me rreth 6 milionë euro duke arritur në 567 milionë euro. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ra në nivelin 26 për qind nga 32 për qind në një vit më parë”, - theksojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Pagesat për importe janë rritur për grupet makineri dhe pajisje me 22 për qind dhe produkte farmaceutike me 18 për qind. Një rënie vjetore prej 10 për qind është regjistruar në vlerën e importit të grupmallrave ushqimorë. Ekspertët vlerësojnë se në krahun e eksporteve rënia vjetore me 25 për qind gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e tkurrjes së eksportit nga prodhimi i brendshëm, kryesisht në kategorinë e metaleve dhe naftës së papërpunuar. Gjithashtu, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009 Shqipëria regjistroi një prurje neto prej 434 milionë eurosh në llogarinë kapitale dhe financiare. Llogaria financiare regjistroi rritje të detyrimeve financiare të Shqipërisë ndaj botës dhe rënie të mjeteve të rezidentëve jashtë. Në llogarinë financiare lëvizjet më të mëdha janë regjistruar në zërat e investimeve të huaja direkte, huamarrjes dhe mjeteve të rezidentëve jashtë. “Hyrjet në formën e investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare me 313 milionë euro ishin një faktor dominues në rritjen e detyrimeve financiare të vendit. Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, gjatë këtij tremujori vlerësohen në 161 milionë euro. Huamarrja për sektorin publik (tërheqjet) ishte rreth 158 milionë euro ose 59 milionë më tepër se sa në vitin 2008. Huamarrja private shënoi një vlerë mjaft të ulët (3 milionë euro), ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ajo ishte rreth 28 milionë euro”, - thanë ekspertët. Rritja e këtyre detyrimeve ka çuar në rritjen e detyrimeve për pagesat e ardhshme të borxhit të jashtëm. Shërbimi i borxhit të jashtëm për tremujorin e dytë të vitit 2009 ka pakësuar detyrimet e rezidentëve me 37 milionë euro. Mjetet valutore të investuara jashtë ekonomisë shqiptare kanë regjistruar një rënie neto prej 132 milionë eurosh. Kjo rënie vihet re kryesisht në investimet në formën e depozitave të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente me 126 milionë euro. Gjithashtu, në rënie janë paraqitur mjetet financiare në formën e investimeve të portofolit (15 milionë euro). Mjetet e rezervës u rritën me 142 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›