E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Depozitat bankare rikthehen në nivelin e tetorit 2008

TIRANE- Rikthehen në nivelin e një viti më parë depozitat bankare. Sipas buletinit statistikor të publikuar prej Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit në bankat që operojnë në vendin tonë ishin 641.1 miliardë lekë depozita, në monedhën vendase apo në valutë të huaj. Kjo është e njëjta shifër, saktësisht me atë të totalit të depozitave në muajin tetor 2008. Prirja e shqiptarëve për të tërhequr paratë e depozituara, filluar në shtator-tetor të vitit të kaluar, shënoi kulmin e saj rënës në mars të vitit në vazhdim, kur totali arriti në 604 miliardë lekë. Gradualisht, pas këtij muaji duket se është rikthyer besimi i ndrojtur në institucionet bankare, për të arritur në 611 miliardë lekë depozita në korrik, 637 miliardë në gusht, e për të shkuar në mbi 640 miliardë lekë në fund të shtatorit. Në rikthimin e depozitave ndikoi edhe rritja e shumës së garantuar nga shteti. Pas miratimit të një ligji lidhur me rritjen e nivelit të garantimit të depozitave bankare, shqiptarët mund të jenë më të qetë lidhur me paratë që depozitojnë në banka. Kjo, pasi ky ligj ka detyruar tani rritjen në 25.000 euro, ose ekuivalentin e saj në lekë apo valuta të tjera të kufirit të shumës, që garantohet nga shteti shqiptar në rast falimentimi të një banke të nivelit të dytë. Ligji ishte një kundërmasë si pasojë e "hemorragjisë" së depozitave. Një tërheqje e depozitave në masën rreth 240 milionë euro, ndodhi vjet në muajt tetor e nëntor, kur u përhapën njoftimet e para se kriza globale kishte filluar pikërisht në sektorin bankar. Por, gjatë muajve të parë të vitit 2009, ndonëse frika nuk u eliminua asnjëherë, tregu është qetësuar dhe një pjesë e parave të tërhequra është rihedhur në depozitat bankare.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›