E Diel, 1 Nëntor 2026

Kusari-Lila: Të përsëriten zgjedhjet në Gjakovë

GJAKOVE- Kandidatja e koalicionit AKR-LDD për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës që të mos protestojnë, duke thënë se nëse KZAP do të marrë parasysh ankesat e këtij koalicioni, atëherë në Gjakovë duhet të përsëriten zgjedhjet.

Ajo këto komente i bëri të mërkurën në një konferencë për media, duke akuzuar AAK-në se ka vjedhur votat në komunën e Gjakovës, për t’i siguruar fitoren kandidatit Palë Lekaj që në rundin e parë.

Kusari-Lila tha se në komunën e Gjakovës ka një disponim të qytetarëve për të vazhduar me protesta, por AKR fton qytetarët që mos të dalin në rrugë pasi që situata është e tensionuar dhe mund të eskalojë në një situatë të cilën askush nuk e dëshiron.

“Protestat paqësore ashtu si kanë qenë dje në komunën e Gjakovës mund të vazhdojnë dhe varet nga qytetarët se çfarë mund të jetë vullneti i tyre, por gjithsesi që ne nuk dëshirojmë, pas daljes së vazhdueshme ne rrugë diçka tjetër ose diçka më e madhe të ndodhë, por gjithsesi do të jemi krahas qytetarëve ashtu siç ishim dje, do t’i mbështesim qytetarët në kërkesat e tyre dhe kërkesat e tyre janë edhe kërkesat tona që të zbardhet fati i votave të qytetarëve të komunës së Gjakovës së 15 nëntorit”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se AKR ka dërguar ankesat për shqyrtim në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), i cili organ sipas saj duhet të marrë vendim për përsëritjen e votimeve, me çka ajo si kandidate e koalicionit AKR-LDD do të jetën balotazh.

“Unë personalisht besoj në drejtësi dhe besoj në funksionalitet institucional në Kosovë dhe shpresoj që gjitha ankesat që janë dorëzuar do të kenë trajtim serioz. Nëse gjitha ankesat që janë dorëzuar kanë trajtim serioze nëse verifikohen listat e votuesve, atëherë rezultati do të del se kryetari aktual i komunës së Gjakovës nuk është fitues dhe nuk mund të jetë fitues pa balotazh. Do me thënë që rezultati do të jetë që do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve në komunën e Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndryshe, AKR dje ka prezantuar video-materiale në të cilat sipas kësaj partie shihen komisionarë dhe vëzhgues duke manipuluar me vota pas përfundimit të votimeve në disa vendvotimet të komunës së Gjakovës. Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës Palë Lekaj ka fituar që në rundin e parë në garën për të parin e komunës edhe për një mandat katërvjeçar, pasi ka fituar mbi 50 për qind të votave të mjaftueshme, derisa Kusari-lila sipas të dhënave preliminare të KQZ-së ka fituar mbi 40 për qind.
(m.a/express/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›