E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Ekonomia më 2010, frenohen konsumatorët

Ekonomia shqiptare vlerësohet nga analiza e BSH-së të ketë pasur një rritje prej 4,9 % të PBB. Banka qendrore në analizën e saj vlerëson se rritja do të vijojë edhe këtë vit. Ajo është orientuar gjatë 2010-ës nga një sjellje konsumatore konservatore dhe e ngadaltë e nga prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi që nuk kanë nxitur bizneset për kryerjen e investimeve të reja. Kjo i referohet analizës së Bankës Qendrore për ecurinë e ekonomisë së vendit gjatë vitit 2010. Megjithatë, po sipas analizës në fjale, me përmirësimin e kushteve të financimit dhe me rritjen e mëtejshme të kërkesës, investimet private, ndryshe nga dy tremujorët e parë të vitit, vlerësohet të kenë dhënë një kontribut pozitiv në tremujorin e tretë të tij. Sipas BSH-së, aktiviteti ekonomik ka vijuar të shënojë rritje, ndërkohë që balancat kryesore makroekonomike janë përmirësuar dhe primet e rrezikut e normat e interesit në tregjet financiare kanë rënë. Rritja ekonomike gjatë vitit 2010 është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj për mallrat e shërbimet shqiptare, ndërkohë që megjithë zhvillimet pozitive, ecuria e konsumit dhe e investimeve në vend mbetet e dobët. Duke iu referuar parashikimeve për 2011, pritet që ekonomia të vazhdojë me këto ritme edhe në vitin 2011, por sipas institucionit më të lartë financiar, pasiguritë mbi të mbeten të larta. “Zhbalancimet makroekonomike në nivel global, të shfaqura në nivele të larta të deficitit tregtar të disa vendeve të zhvilluara, mund të materializohen në goditje mbi kursin e këmbimit mes monedhave kryesore dhe mbi shkëmbimet e lira tregtare në botë”, - citohet në analizën e Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›