E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kriza politike, ndikime negative në ekonomi

SHKRUAN: Sabina Veizaj 27-01-2011 13:05

Guvernatori i Bankës Qendrore gjykon se trazirat e 21 janarit kanë ndikuar dhe do të kenë efektet e tyre në ekonominë shqiptare, duke iu referuar investimeve strategjike, megjithatë ai është optimist për përmirësimin e situatës, pasi merr parasysh instrumentet imune të ekonomisë së vendit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, duke e konsideruar lidhjen e politikës me ekonominë si simbiotike, gjykon se demonstratat e përgjakshme të 21 janarit sigurisht që kanë ndikuar dhe do në ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në ekonominë shqiptare. Ai e bëri këtë vlerësim në një konferencë për shtyp dhënë dje mediave për analizën e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2010. “ Duhet të jem i qartë që çdo nismë veprimi, mosmarrëveshje konflikt apo konfrontim politik ka një kosto ekonomike të dukshme dhe të padukshme, direkte apo indirekte, të së sotmes e të së nesërmes. Të gjithë duhet të kuptojmë që ekonomia dhe politika funksionojnë si ente komunikuese. Për mendimin tim ato janë vëllezër siamezë të lidhur nga shtylla kurrizore mbi të gjitha dua të konfirmoj që tashmë kjo është evidente në të gjitha raportet e huaja, jo vetëm të Bankës së Shqipërisë që ekonomia shqiptare gëzon imunitet të plotë ndaj goditjeve afatshkurtër, sistemi bankar shqiptar është i mirëkapitalizuar, solid dhe gëzon besimin e konsumatorëve ndërkombëtarë dhe besimin e plotë të publikut shqiptar.” – u shpreh guvernatori Fullani. Nga ana tjetër, sipas tij, duhet të kihet parasysh që me kalimin e Shqipërisë nga një vend në tranzicion në një vend në zhvillim 2011-ta duhet të kuptohet që është ndryshe nga vitet e mëparshme, sepse ekzistojnë njëkohësisht elementët Bashkimi Europian dhe NATO, që, sipas Fullanit, duan të thonë që matematikisht ekuacioni i Shqipërisë ka ndryshuar dhe emëruesi i Shqipërisë ka ndryshuar, e faktorizon brenda këto dy elementë të rëndësishëm. “Në këto kushte duhet të kuptojmë që monitorimi i ekonomisë shqiptare dhe sistemi bankar financiar nga autoritetet e autorizuara dhe institucionet ndërkombëtare përsa i përket elementit politik është mjaft i rëndësishëm. Risku politik është bazë në riskun e vlerësimit të ekonomisë shqiptare që do të thotë që kjo është bazë e objektivit të monitorimit nga agjentët ndërkombëtarë, investitorët e huaj dhe ata shqiptarë. Është një notë për Shqipërinë.”- vijoi argumentin e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë duke nënkuptuar se imazhi i pamjeve të 21 janarit që shëtiti gjithë botën nuk është I lehtë të harrohet. Të njëjtin gjykim kanë edhe ekspertët e ekonomisë, të cilët argumentojnë se demonstrata e 21 janarit do të ketë precedentë negativë në interesat afatgjatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata mendojnë se zhvillimet e paprecedenta politike në demonstratën e 21 janarit janë një zhvillim negativ dhe që kanë dëmtuar në mënyrë serioze interesat ekonomike afatgjata të Shqipërisë. Sipas tyre, ndikimi më i parë do të jetë një përkeqësim edhe një herë i imazhit të vendit dhe që për rrjedhojë mund të ndikojë në të ardhmen në sektorin e turizmit dhe në investimet strategjike si të investitorëve të huaj dhe atyre vendas.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›