E Enjte, 5 Nëntor 2026

BSH: Ekonomia vijon trendin pozitiv, stabilitet i çmimeve

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë vlerëson se, aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare. Në raportin tremujor të Politikës Monetare, publikuar sot BSH-ja thekson se, zgjerimi i aktivitetit ekonomik në gjysmën e parë të vitit është nxitur nga rritja e shpenzimeve familjare dhe e investimeve të bizneseve dhe është pasqyruar në rritje të sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit. Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie të shpejtë, duke shënuar dhe një rikuperim të plotë të goditjes që pësuam nga rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Rënia e inflacionit ka pasur një bazë të gjerë, por ajo ka qenë më e shpejtë në çmimet e artikujve ushqimorë. Sipas BSH-së, rikthimi i stabilitetit të çmimeve në vend, pas një periudhe dyvjeçare me inflacion të lartë, lehtëson kostot e jetesës së familjeve dhe krijon një ambient më transparent për investimet afatgjata të bizneseve. Banka Qendrore vëren se, kjo tablo zhvillimesh ka qenë e pritur për të. Sikundër ka theksuar në vazhdimësi, ajo pasqyron, së pari, bazat e shëndosha të zhvillimit të vendit dhe rezistencën e fleksibilitetin e lartë që sektori privat shqiptar ka shfaqur gjatë viteve të fundit. Megjithatë, thekson BSH-ja, trendi pozitiv i zhvillimit të vendit pasqyron edhe politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Në mbledhjen e muajit korrik, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të lehtësojë qëndrimin e politikës monetare, duke synuar të përshtatë më mirë nivelin e likuiditetit dhe kostot e financimit në vend me ecurinë e inflacionit dhe të aktivitetit ekonomik, si dhe me zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare. Kostot e ulëta të financimit në ekonominë shqiptare kanë mbështetur një rritje të shpejtë dhe me bazë të gjerë të kreditimit. Tashmë, kredia bankare është shndërruar në një burim të rëndësishëm dhe të besueshëm financimi për ekonominë shqiptare, duke dhënë sinjale pozitive për qëndrueshmërinë e rritjes në të ardhmen. Në këtë kontekst zhvillimesh, pritjet e BSH-së  për të ardhmen mbeten pozitive. “Ndonëse sfidat e zhvillimit nuk mungojnë, ne presim një rritje të mëtejshme dhe të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim, si dhe një stabilizim të inflacionit rreth objektivit tonë prej 3% gjatë vitit 2025. Në këto rrethana, ne vendosëm të mbajmë të pandryshuar qëndrimin tonë të politikës monetare, duke gjykuar se – për momentin – ky qëndrim është i përshtatshëm, për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, thuhet në raportin e BSH-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›