E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Interesat e larta mbajnë lek të fortë

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë kryer një studim në bazë të të cilit rezulton se ndryshimi i interesit bazë në ekonominë shqiptare ndikon në ecurinë e lekut kundrejt valutave të huaja, gjë që përbën edhe argumentimin kryesor kundër uljes së interesave. Studimi i publikuar së fundmi ka marrë në analizë një periudhë shumëvjeçare dhe ka dalë në konkluzionin se zbutja e politikës monetare shoqërohet me nënçmim të lekut dhe e kundërta, rritja e interesave nga Banka Qendrore sjell edhe forcim të lekut.
"Rezultatet tregojnë për një lidhje të fortë afatgjatë midis normave bazë të interesit dhe zhvillimeve të kursit të këmbimit", thuhet në studimin e kryer nga Altin Tanku, Ilir Vika dhe Marian Gjermeni, me titull "Roli i Kursit të Këmbimit në Shenjëstrimin e Inflacionit."
"Një shtim prej 2 pikë përqindjeje në nënçmimin (mbiçmimin) e kursit të këmbimit të lekut ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të rrisë (ulë) normën e interesit... në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë", vijon më tej studimi.
Shumë ekspertë apo shoqata biznesi kanë sugjeruar gjatë këtij viti politikë më agresive nxitëse nga Banka e Shqipërisë për ekonominë e goditur nga kriza. Por Banka e Shqipërisë i uli normat bazë të interesit me 0.5 për qind në janar dhe i la të pandryshuara gjatë të gjithë pjesës tjetër të vitit, pa marrë parasysh rënien e kreditimit. Interesat për lekun janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke rënduar bilancet e kompanive dhe xhepat e individëve që kanë marrë kredi në monedhën kombëtare. Pjesa dërrmuese e kredive në lekë të ofruara nga bankat, marrin si normë referuese interesat e bonove të thesarit, dhe këto janë rritur me më shumë se 2 për qind gjatë vitit të fundit. Në këto kushte, ulja e interesit të lekut do t‘i lehtësonte vuajtjet, por nga ana tjetër, rrezikon të ushtrojë presion mbi lekun e në fund, të rrisë çmimet.
Burime konfidenciale tregojnë se synimi për të mbajtur një lek të fortë, ose për të mos nxitur nënçmimin e mëtejshëm të lekut, ka qenë faktori vendimtar në mosuljen e interesit bazë nga Banka e Shqipërisë.

Si funksionon
Shqipëria përdor mekanizmin e interesave bazë që BSH përcakton për të dhënë kredi apo për të pranuar depozita nga bankat e nivelit të dytë, dy mekanizma indirekte këto që teorikisht ndikojnë në të gjitha interesat e tjerë, si interesat e borxhit publik apo interesat e kredive e depozitave për bizneset e familjet. Politika e zakonshme e vendeve të pasura në kohë krize konsiston në uljen në minimum të interesave, gjë që nënçmon monedhat kombëtare, por njëkohësisht e bën më të lirë kredimarrjen në monedhën e atij vendi, sjell presion inflacionist, por edhe nxit investimet.
Për vendet e varfra, zgjedhja është shumë më e vështirë se kaq. Në ekonomitë e vogla dhe të hapura, kohët e krizës sjellin detyrimin për të rritur interesat bazë për monedhat e veta, gjë që frenon konsumin dhe investimet, por edhe e bën më tërheqës përdorimin e monedhës kombëtare si mjet kursimi, duke sjellë rritjen e vlerës së saj. Kështu, në kulm të krizës aktuale, kur BE dhe SHBA ulën interesat në minimum, vende si Serbia apo Hungaria i rritën interesat në mbrojtje të monedhave të tyre.

Limitet e mekanizmave monetarë
BSH e ka bërë të qartë se objektivi i saj kryesor është ruajtja e inflacionit të ulët, por nuk ka çfarë të bëjë në rast se inflacioni shkaktohet nga qeveria apo nga çmimet e importit. E njëjta gjë duket se ndodh edhe me vlerën e lekut. Mekanizmat e politikës monetare mund ta mbrojnë vlerën e monedhës kombëtare për sa kohë edhe politika fiskale e qeverisë i nënshtrohet këshillave të BSH. Gjatë këtij viti, kjo gjë nuk ka ndodhur. BSH i ka bërë thirrje shumë herë qeverisë të kufizojë shpenzimet buxhetore për shkak të krizës, ndërsa kjo e fundit nuk i është bindur, përkundrazi, i ka shtuar më tepër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›