E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi, ende në stres nga ligji për falimentin

Kompanitë e biznesit dhe studiot avokatore vijojnë të jenë të shqetësuar rreth mënyrës se si Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po trajtojnë çështjen e falimentit të kompanive që nuk kanë raportuar fitime për më shumë se tre vjet. Në revistën zyrtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë, "Advantage", zyra të ndryshme avokatore thonë se situata mbetet ende e paqartë dhe veprimet e tatimorëve mbeten ende abuzive pavarësisht se të gjithë e kanë të qartë se po veprohet në mënyrë të gabuar.
Tatimorët kanë nisur një fushatë për të shpallur të falimentuara të gjitha kompanitë pa fitime për tre vjet, pavarësisht nëse këto kompani kanë apo jo detyrime ndaj administratës tatimore, bazuar mbi një nen të ligjit "Për Procedurat Tatimore," i cili ia jep këtë të drejtë pa shkak. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një ligj të posaçëm për Falimentin, në bazë të të cilit, çdokush mund të kërkojë shpalljen e një kompanie të falimentuar, por vetëm në rast se kjo kompani i detyrohet shuma financiare dhe nuk ka mundësi t‘i shlyejë këto detyrime.
"Është e kuptueshme që dispozitat e mësipërme nuk janë në përputhje me njëra-tjetrën. Dispozitat e udhëzimit të ministrit të Financave tejkalojnë dispozitat e ligjit, duke e shtrirë numrin e taksapaguesve që preken nga këto dispozita", shpjegojnë ekspertët e studios "Boga & Associates", për revistën e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Administrata Tatimore publikon herë pas here një listë të gjatë me kompani që sipas saj duhet të shpallen të falimentuara. Një pjesë e kompanive kanë shumë vite që nuk kryejnë aktivitet, por situata u bë problematike, kur edhe disa nga investitorët më të rëndësishëm në vend u përfshinë në listë. Sipas shoqatave të biznesit, Tatimet duhet të kërkojnë shpalljen e falimentuar të një kompanie vetëm në rastet kur kjo e fundit i detyrohet taksa të papaguara. Shqipëria miratoi një ligj të posaçëm për këtë çështje vitin e kaluar në përpjekje për të përmirësuar klimën e të bërit biznes. Por ligjvënësit harruan të shfuqizojnë nenin përkatës në ligjin për procedurat tatimore, duke krijuar një ligj të dyfishtë. Teorikisht, tatimet duhet t‘i kërkojnë gjykatave shpalljen e falimentit dhe këto të fundit duhet të përcaktojnë një administrator të pavarur për likuidimin e kompanive.
Por shumë ekspertë besojnë se tatimet kanë marrë fuqi të tepërt që mund të përdoret apo keqpërdoret për të bërë presion mbi bizneset. Vetë tatimet kanë pranuar se pas argumentimeve nga kompani të fuqishme, kanë hequr dorë nga shpallja e falimentit. Por kjo gjë nuk ka ndodhur me kompanitë e vogla dhe të pafuqishme.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›