BSH: Ja sa do të jetë inflacioni në 12 muajt e ardhshëm
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim pritshmëritë e sistemit bankar në lidhje me zhvillimet inflacioniste në 12 muajt në vijim. Sipas BSH-së, "parashikimet më të fundit në lidhje me ecurinë e inflacionit në terma afatshkurtër dëshmojnë për një rikthim gradual të normës vjetore të inflacionit, poshtë nivelit të sipërm të zonës së tolerancës prej 4 për qind, duke filluar që nga muajt e fundit të vitit 2008”. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së u ndal edhe në analizën e rreziqeve që potencialisht mund të devijojnë ecurinë e inflacionit nga parashikimet e bëra prej saj. Vëmendja e veçantë iu kushtua efekteve që mund të gjenerohen në një kohë të dytë, si rezultat i masave aktuale të mundshme kompensuese për efektet e rritura të çmimeve ushqimore. BSH-ja gjykon se "presionet inflacioniste të gjeneruara prej këtyre efekteve janë ende të një intensiteti të ulët”. Faktorët që ndikojnë janë të vendosur në krahun e ofertës, në formën e çmimeve të rritura të lëndëve të para, ku veçohen, ushqimet dhe nafta. Por, sipas BSH-së, "edhe kërkesat mbartin rreziqet e tyre. Ato janë të lidhura me rritjen e shpejtë të kredisë për ekonominë, me ecurinë e pagave dhe të shpenzimeve, si dhe me pritjet e agjentëve ekonomikë në përgjithësi”. Sipas BSH-së, me gjithë zhvillimet e muajit të fundit, faktorët e rrezikut, ende mbartin potencial të lartë materializimi, fakt ky që e bën të domosdoshme vigjilencën e politikës monetare në lidhje me zhvillimet inflacioniste në ekonomi. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. BSH-ë vëren se, "inflacioni në vendin tonë vazhdon të pasqyrojë ndikimin e çmimeve të mallrave ushqimorë dhe efektin e çmimit të energjisë elektrike”. Inflacioni në muajin maj, sipas BSH-së, "shënoi një vlerë prej -1.0 për qind, që është vlera më e ulët e inflacionit mujor në dy vitet e fundit, ku ndikim ka dhënë rënia sezonale e çmimeve të mallrave ushqimorë të papërpunuar”. Ndërsa deficiti tregtar si në terma mujorë ashtu dhe në terma vjetorë është zgjeruar më tej, me gjithë ecurinë në rritje të eksporteve. Në muajin prill, norma vjetore e rritjes së kredisë për sektorin privat qëndroi e pandryshuar me atë të një muaji më parë, në 43 për qind. Kredia për biznese ka ruajtur ritmet mesatare të rritjes të fillimvitit, prej 38 për qind. Zgjerimi i portofolit të kredisë për biznese në muajin prill është mbështetur nga kërkesa për kredi, për mjete xhiroje dhe për financimin e blerjeve të pasurive të paluajtshme. Norma e rritjes së kredisë për individët është ndalur në nivelin 51 për qind, ndërkohë që pjesa më e madhe e saj akordohet për blerjen e banesave.
26 Qershor 2008