E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, synon futjen e 100 barnave me bashkëpagesë



Pas miratimit të listës së plotë me 21 barnat e rimbursueshme, ISKSH-ja, po bën gati listën e barnave të rimbursueshme alternative. Janë rreth 100 barna që do të bëhen pjesë e listës alternative me bashkëpagesë. Një mënyrë e tillë nënkupton që një pjesë e e vlerës së barnave do të rimbursohen nga ISKSH-ja, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga pacienti. Pjesë e kësaj liste do të jenë barnat e shtrenjta, pasi pacientët nuk kanë mundësi t’i blejnë. Barnat e rimbursueshme, alternative, do të jenë kryesisht për të sëmurët hipertensivë, diabetikë, si dhe ata me sëmundje gjaku. Pasurimi i listës bazë, aktualisht numëron 373 barna, e cila është propozuar nga ISKSH-ja dhe është mbështetur nga Komisioni i Listës së Barnave të Rimbursueshme pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Të gjitha këto barna që pritet të rimbursohen do të përdoren kryesisht në QSUT, por specialistët shprehen se do të ketë një shtrirje më të gjerë dhe do të gjenden në të gjitha farmacitë e vendit. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, u shpreh se për këtë qëllim ISKSH-ja është në tratativa me Ministrinë e Financave, dhe se do të duhet një afat kohor për të evidentuar efektin e tyre. Sipas saj, barna duhet që të miratohen edhe nga Instituti i Akreditimeve, pasi një pjesë e tyre janë barna të reja dhe duhet parë rezultati që kanë ato tek të sëmuret. Pak ditë më parë qeveria miratoi listën e plotë me 21 barnat e rimbursueshme për vitin 2008. Por ata që janë më të pakënaqurit janë pensionistët, të cilëve i’u duhet të shpenzojnë mjaft për blerjen e barnave. Për barnat e rimbursueshme, ISKSH ka në dispozicion fondin prej 4.2 miliard lekë, ndërsa efekti financiar vjetor për alternativat e barnave të shtuara është 135 milion lekë.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›