Autobusët urbanë, me gjithë rritjen e biletës, përsëri në kushte mjerane
Ervin Koçi
Edhe pse që prej dy muajsh biletat e shërbimit urban në të gjithë vendin janë rritur në masën 50 për qind, ose e thënë ndryshe po shiten me 30 lekë, kompanitë private të shërbimit urban nuk kanë ndryshuar asgjë. Respektimi i orareve, uniformat e faturinove, konfigurimi i biletave, higjiena në autobusë, si dhe ajrosja me ajër të kondensuar janë elementët më minimalë që i mungojnë “flotës” së mjeteve të transportit urban. Skandali më i madh është në kryeqytet, ku me mjetet e transportit publik qarkullon një pjesë e madhe e qytetarëve, të cilët edhe pse paguajnë këtë shërbim, janë të dënuar që çdo ditë të përballen me romuzet e shoferëve dhe faturinove, oraret e parespektuara dhe papastërtinë që karakterizon këtë shërbim. Por duket se të gjitha këto e kanë dhënë dhe pasojën e tyre te qytetarët që kanë nisur ditë pas dite ta braktisin këtë shërbim që nuk e meriton çmimin e shtrenjtë. Sipas dispeçerëve të disa prej linjave kryesore të urbanëve që qarkullojnë në kryeqytet, frekuentimi i udhëtarëve është ulur në masën 50 për qind. Të vetmit që e frekuentojnë këtë shërbim aktualisht janë qytetarët që u duhet të përshkojnë distanca të largëta, si p. sh. periferitë e Tiranës, apo pensionistët që përpiqen të evitojnë lëvizjet në rrugë në orët e nxehta të ditës.
Kundërshtimi i qytetarëve
Heqja e aboneve për disa linja të shërbimit urban në kryeqytet, dëshmive dhe librezave të kategorive që përfitojnë udhëtimin falas që prej datës 1 maj, si dhe shtimi i çmimit të biletës me 10 lekë, ka ngjallur reagimin e ashpër të qytetarëve. Ata shprehen se nuk mund të përballojnë çmimet e biletave për autobusët, në kushtet kur gjithçka është shtrenjtësuar. Rruga e vetme për shumë prej tyre është braktisja e linjave urbane dhe lëvizja në këmbë, ose me mjete të tjera alternative. Kjo duket se ka qenë kundërpërgjigjja më e mirë që qytetarët kryeqytetas i kanë dhënë vendimit të qeverisë si dhe të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetar, për të rritur në 30 lekë çmimin e biletës së autobusit si dhe të gjitha çmimet e aboneve. Në bazë të vendimit që u konsiderua si arbitrar nga qytetarët, shoqata e operatorëve të transportit urban, vendosi që duke filluar nga 1 maji, numri i autobusëve për çdo linjë në kryeqytet të reduktohet me 50 për qind, paralelisht të hiqen dëshmitë dhe librezat për kategoritë e qytetarëve që sipas ligjit përfitojnë udhëtim falas. Sipas shoqërive të transportit, kjo është e vetmja mënyrë për të shkurtuar disi shpenzimet që janë rritur ndjeshëm pas shtrenjtësimit të naftës dhe mossubvencionimit nga ana e qeverisë të aboneve, librezave dhe dëshmive të kategorive të qytetarëve që udhëtojnë falas.
Indiferenca e qeverisë
Këshilli i Ministrave, pa menduar shumë për situatën ekonomike të qytetarëve shqiptarë dhe për pamundësinë për të lëvizur shpejt dhe lirshëm, vendosi të rrisë tarifat e biletave të transportit urban brenda qyteteve. Tashmë bileta e çdo autobusi urban brenda qytetit kushton 30 lekë, nga 20 lekë që ishte dy muaj më parë. Por rritja e çmimit të biletës është shoqëruar edhe me një rritje të ndjeshme të çmimit të aboneve mujore. Kështu, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, abonetë e përgjithshme kanë nisur të shiten me 1200 lekë, në një kohë që vetëm pak javë më parë kostoja e tyre ishte 800 lekë, duke u shtuar edhe me 400 lekë të tjerë, ose 50 për qind. Por kabineti qeveritar nuk la pa ndryshuar edhe çmimin e aboneve të studentëve, të cilat nga 400 lekë që ishin u bënë 600 lekë. Rritje pësuan edhe abonentë, të cilat përdoren vetëm për një linjë, të cilat nga 600 lekë tashmë po shiten me 900 lekë.
BOX//////////////////////////////////
Vlora, i pari vend ku qytetarët braktisën shërbimin urban
Qytetarë të shumtë vlonjatë kanë protestuar të shtunën në stacionet e linjës urbane, duke kundërshtuar pagesën e biletave të autobusëve në shumën 30 lekë. Në shenjë proteste ata nuk kanë hipur në urbane, duke i detyruar autobusët të lëvizin bosh dhe turma ka lëvizur në këmbë në formë proteste. Një grumbull qytetaresh janë shprehur të irrituar ndaj bashkisë dhe agjencisë se autobusëve urbanë. Edhe pse drejtues të Agjencisë së Parkut një ditë më parë thanë se rritja e çmimit të biletës do të nisë në muajin korrik, të ndjerë përballë faktit të kryer, banorët u shprehën të indinjuar. Pensionistja Xhemaile Allushi është shprehur se me këtë rritje çmimi ndëshkohen vetëm pensionistet. "Unë kam punuar 45 vjet në punë shteti, marr një pension 10 mijë lekë në muaj. Me këto nuk përballoj energjinë, ujin e ilaçet. Tani një rrugë vajtje-ardhje shkon sa një bukë", - u shpreh ajo. Kësaj revolte të qytetarëve, Agjencia e Parkut Urban i është përgjigjur me heshtje. Ndërsa pak ditë më parë, drejtori Anesti Xhaxho, është shprehur se rritja e biletave do të bëhet në muajin korrik. Shërbimi urban në qytetin e Vlorës le për të dëshiruar, pasi numri i autobusëve nuk i përballon nevojat, veçanërisht në muajt e verës. Ndërkohë, një përfaqësi e pensionistëve i dërguan peticion edhe kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.
26 Qershor 2008