E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Janë rritur depozitat bankare në lekë

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shqiptarët po rrisin interesin për të depozitur në banka kursimet e tyre në monedhën vendase lekë. Pas tërheqjes së depozitave gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit të kaluar, rrjedhojë e panikut nga kriza globale financiare, sistemit bankar shqiptar duket se iu rikthye qetësia. Stoku i depozitave pas janarit të 2009-s nuk po shënonte më rënie, madje në periudhën mars-maj filloi të rritej, për të rënë më pas lehtë në qershor. Të dhënat e fundit të BSH-së bëjnë të ditur se tashmë preferenca për ruajtjen e kursimeve për lekun ka kaluar dukshëm te depozitat njëmujore, nga vendosja e depozitave në banka për 12 muaj, që ishte përgjithësisht tendenca e shqiptarëve gjatë vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, gjithnjë e më shumë klientët shqiptarë të bankave kanë preferuar të kursejnë në afatin e shkurtër. Duke iu referuar statistikave, kohët e arta për bankat, si ato të gushtit të kaluar, kur prurjet e emigrantëve ndikuan në rritjen e ndjeshme të depozitave me afat 1-vjeçar, vështirë se do të përsëriten, të paktën në afatin e shkurtër.
Në fakt, gushti i vitit të kaluar ka qenë muaji më i mirë për depozitat, periudhë që përkon me ardhjen e emigrantëve për pushimet e verës dhe sezonalisht ndikon në rritjen e kursimeve në banka.
Edhe janari i këtij viti ka pasur një tendencë të lehtë rritëse të depozitave me afat në lekë, por ritmet e rritjes kanë qenë shumë më të ulëta se gushti, kur kriza globale nuk kishte plasur ende.
Sipas BSH-së, interesi mesatar i depozitave në lekë nuk ka shënuar ndonjë rritje të dukshme gjatë muajve të fundit. Për depozitat 12-mujore ai luhatet në 6.7- 6.9%, në një kohë që në verën e vitit të kaluar këto norma arritën në rreth 7.2%. Ndërsa për depozitat 6-mujore interesi shkojnë nga 5.9-6%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›