Japonia rifillon rritjen ekonomike

Japonia rifilloi rritjen ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2009 pas 12 muaj recesioni, pasi Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto (GDP)-ja është rritur me 0,9 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm ose +3,7 për qind në ritëm vjetor, njoftoi sot qeveria. Kjo shifër në përgjithësi përputhet me parashikimet e ekonomistëve, të cilët prisnin një rritje mesatare prej 1,0 për qind në krahasim me tremujorin e parë ose +3,9 për qind në ritëm vjetor, mësohet nga një sondazh i realizuar nga DowJones Newswires. Japonia është vendi i tretë më i industrializuar, pas Gjermanisë dhe Francës, që njofton daljen nga recesioni në tremujorin nga prilli në qershor. Kjo rimëkëmbje shpjegohet kryesisht, sipas shifrave të komunikuara nga qeveria, me një rifillim të eksporteve dhe të konsumit të familjeve, i nxitur nga plane masive nxitjeje të vëna në zbatim nga autoritetet. Por, investimi në ndërmarrje ka mbetur i dobët. Ekonomia e dytë më e madhe në botë vazhdoi të pësonte rënie që prej tremujorit të dytë të vitit 2008, për shkak të rënies së eksporteve nga ulja e kërkesës në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Kinë. Ajo pësoi në tremujorin e parë të vitit 2009 rënien më të madhe të GDP-së së saj që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (-3,8 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm).