BSH: Këmbimi në Shqipëri më i qëndrueshmi në Rajon
Në kontekstin rajonal, ecuria e lekut në raport me euron paraqitet e kënaqshme, krahasuar me shumicën e vendeve të Europës Qendrore-Lindore dhe Ballkanit. Në një analizë të posaçme për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë vëren këtë dukuri pas një krahasimi që i ka bërë tregut vendas të këmbimit, në raport me disa vende të rajonit për harkun kohor të dy viteve. BSH vëren se, ecuria e kursit këmbimit ka vijuar të konfirmojë frenimin e prirjeve nënçmuese edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010. Më konkretisht, nënçmimi i lekut në raport me monedhat kryesore të shportës rezulton në masën 0.54% në tremujorin e fundit të vitit, ndjeshëm më i ulët se 3.57% dhe 3.54% përkatësisht në të njëjtët tremujorë të viteve 2008 dhe 2009. Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit gjatë kësaj periudhe, reflekton zhvillimet pozitive në sektorin e jashtëm të ekonomisë si dhe në atë financiar. Në këto kushte duket se, zhvillimet në përcaktuesit bazë të ecurisë së kursit të këmbimit kanë krijuar premisat për vendosjen e tij në një ekuilibër të ri. Panorama e zhvillimeve individuale të monedhave kryesore të shportës në tregun e brendshëm të shkëmbimeve valutore, për tremujorin e katërt të vitit pasqyron një nënçmim të monedhës vendase si kundrejt dollarit (9.73%) ashtu edhe kundrejt euros (1.03%), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, dinamika tremujore e lekut reflekton forcim të pozitave të tij ndaj dollarit amerikan, duke u mbiçmuar mesatarisht me 3.35%. Ndërkohë që, kundrejt monedhës europiane ka vijuar të paraqesë tendenca rënëse, duke u nënçmuar mesatarisht me 1.61%. Nga ana tjetër, ecuria e lekut në raport me euron, përçon një zbehje të efekteve me natyrë sezonale. Politikat e kujdesshme të agjentëve të tregut ndaj luhatjeve sezonale, të evidentuara përgjatë gjithë vitit 2010. Dinamika e raportit Usd/Lekë, gjatë periudhës së analizuar paraqitet në linjë me ecurinë e dollarit amerikan në tregjet ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë parashikon që monedha vendase të ketë një këmbim të qëndrueshëm edhe gjatë këtij viti, për shkak të situatës së mirë në eksporte dhe një tendencë të lehtë rritëse, në prurjet valutore të emigrantëve. Nga ana tjetër, ecuria e lekut në raport me euron, përçon një zbehje të efekteve me natyrë sezonale. Politikat e kujdesshme të agjentëve të tregut ndaj luhatjeve sezonale, të evidentuara përgjatë gjithë vitit 2010.