Vasili: Çmimet e ilaçeve më të larta në rajon
Rritja e çmimit të barnave që tregtohen në vendin tonë disa herë më shtrenjtë se vendet e rajonit është abuzuese. Këtë problem tepër shqetësues, mbi të gjitha për pacientët, e ka pranuar edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka bërë të ditur se do të merren masa kundrejt abuzuesve. Deklaratën kreu i Shëndetësisë e ka bërë dje në analizën vjetore të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave (QKKB). Ministri Vasili ka premtuar se do të ndëshkohen të gjitha subjektet private që abuzojnë me çmimet e barnave. Ai tha se toleranca do të jetë zero, duke ndërprerë çdo marrëdhënie bashkëpunimi me këto kompani, të cilat në jo pak raste i tregtojnë barnat me një çmim disa herë më të lartë se në shtetet fqinje. “Nuk do të lejojmë që një bar i cili në shtetin fqinj me Shqipërinë të shitet me një çmim të caktuar dhe në Shqipëri të shitet me një çmim disa herë më të lartë. Në këtë rast, qëndrimi ynë do të jetë shumë i prerë, sepse marrja e dokumentacionit zyrtar për këto çmime do të bëhet në rrugë ligjore, dhe sigurisht qëndrimi ndaj atyre që përpiqen të abuzojnë me çmimet do jetë i prerë”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë. Më tej, ministri Vasili ka deklaruar se nuk do të lejojë kompanitë farmaceutike të abuzojnë me çmimin e ilaçeve që importojnë nga jashtë. Sipas tij, tashmë në Shqipëri nuk do të tolerohet më që medikamentet të kushtojnë disa herë më shumë sesa çmimi i tyre në vendet fqinje. “Çdo qytetar i cili blen barna ka, falë pullës që ndodhet në barna, çmimin me të cilin ky ilaç shitet dhe askush nuk ka guxim të abuzojë. Do të dekurajojmë me të gjitha instrumentet ligjorë çdo lloj abuzimi me çmimet e barnave në Shqipëri. Nuk do të lejojmë që një bar që në një vend fqinj të shitet me një çmim të caktuar dhe në Shqipëri të shitet disa herë më lartë. Me kompani të tilla sistemi publik shqiptar, spitalor dhe ai me të cilin ndërtohet lista e barnave të rimbursueshme, sigurisht nuk do të bashkëpunojë dhe nuk do t’i ketë pjesë të listave të barnave që ofrohen në sistemin publik”, - është shprehur Vasili. Sipas ministrit të Shëndetësisë, po punohet që çmimet e barnave brenda kontekstit ligjor të jenë të njëjta me ato të vendeve të rajonit. Ndërkohë kreu i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, ka deklaruar se këtë vit të gjitha ato subjekte që merren m tregtimin e barnave do të mund të aplikojnë online për importimin e tyre apo për leje të posaçme. “Aplikimi për lejen e importit do të bëhet online pranë Qendrës Ndërkombëtare të Barnave, në mënyrë që të ulim çdo lloj burokracie në shërbim të subjekteve farmaceutike, në mënyrë që ta bëjmë tregun sa më efektiv, të ketë konkurrueshmëri sa më të madhe, me qëllim të vetëm të kemi barna sa më të sigurta me çmim sa më të ulët në tregun farmaceutik”, - tha Besnik Jakaj. Gjatë vitit 2010 janë marrë masa penalizuese për 40 subjekte, të cilave u është vënë gjobë për mosrespektim të kontratave. Gjithashtu janë bërë 28 propozime për heqje licence, ndërkohë që 14 subjekteve u është hequr e drejta e ushtrimit të aktivitetit. Këtë vit, për herë të parë nisi aplikimi i TVSH për medikamentet, tatim i cili do t’i faturohet pacientit bashkë me çmimin e medikamentit.