E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Bie punësimi i femrave

Femrat punësohen në Shqipëri më pak se meshkujt. Sipas rezultateve nga Anketa e Forcave të Punës 2009, realizuar nga Instituti i Statistikës (INSTAT), nga 61.9 për qind që është shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, 64.3 për qind është për meshkujt dhe 43.6 për qind për femrat. Në këtë mënyrë, vihet re që shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ka një tendencë në rënie, nga viti 2007, në 2009. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç, për vitin 2009 është 53.4 për qind. Duke iu referuar anketës së INSTAT, krahasuar me vitet 2007 dhe 2008, shkalla e punësimit në vitin 2009 ka ardhur në rënie për femrat, ndërsa për meshkujt ky tregues është rritur, krahasuar me vitin 2008.

Por, duke iu referuar punësimit, sipas sektorëve, femrat e punësuara në sektorin privat bujqësor vazhdojnë të zënë përqindjen më të madhe. Sipas kësaj strukture, përqindja e femrave të punësuara në sektorin privat jo-bujqësor, në vitin 2009, ka pësuar rënie krahasuar me vitin 2008. Ndërsa, shkalla e papunësisë për vitin 2009, sipas AFP 2009 është 13.8 për qind. Shkalla e papunësisë për të rinjtë, në vitin 2009 është 27.2 për qind dhe shkalla e papunësisë për të rriturit (25-64 vjeç) është 11.3 për qind. Shkalla e papunësisë afatgjatë është më e lartë për femrat dhe ka një tendencë në rritje, nga viti 2007 në 2009, ndërsa për meshkujt lëviz në drejtim të kundërt. Anketa e Forcave të Punës në Shqipëri është kryer nga INSTAT që nga viti 2007 me periodicitet vjetor. Anketa zhvillohet pranë familjeve, ku si njësi vrojtimi janë të gjithë personat 15 vjeç e lart në familje dhe objektivi kryesor i anketës së forcave të punës është ngritja e një sistemi statistikor të qëndrueshëm, të statistikave të forcave të punës, sipas standardeve të EUROSTAT-it

S. Veizaj

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›