Vendimi, këtë vit punësohen 1146 persona me kohë të pjesshme
Janë 1146 punonjës, të cilët me një vendim të këshillit të ministrave, do të punësohen me kontratë të përkohshme në disa prej njësive të qeverisjes qendrore.
Punonjësit që i mbulon vendimi në fjalë do të jenë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Transporteve, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë. Vendimi është bazuar në “Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11 të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2011 “Për buxhetin e vitit 2011”. Përjashtohen, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, për punonjësit e institutit të Statistikave, të cilët do të merren me anketimin e forcave të punës, për 5 punonjësit arkivistë, në aparatin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për 5 punonjësit në sektorin e pagesave dhe të dëmshpërblimeve, në Ministrinë e Financave. Ndërsa për punonjësit e kontraktuar nga Instituti i Statistikave, të cilët do të merren me regjistrimin e popullsisë, miratimi i numrit të tyre, afatet kohore dhe të tjera specifikime do të përcaktohen nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët ndërmjet INSTAT-it dhe Ministrisë së Financave. Në të njëjtën kohë, për Qendrat e Transferimit të Teknologjisë, në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për shkak të veçorisë së punës, pagesa e punonjësve të kontraktuar përllogaritet sipas volumit të punës së kryer. Për sa i përket efekteve financiare të zbatimit të këtij vendimi, ato do të përballohen nga shpenzimet korente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2011, të njësive të qeverisjes qendrore. Ndërsa, për ALUIZNI-n, QTTB-të dhe Shtëpinë e Pushimit, Durrës, efektet financiare përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit. Efektet financiare për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore fillojnë më 1 janar 2011.