E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Konsumatori do përballet me rritje të cmimeve

Nga Aurora Sulce
Ekspertët e Bankes se Shqiperise argumentojnë se dobësimi i lekut është faktor më përcaktues në ecurinë e çmimeve. Zhvlerësimi i lekut do të përkthehet në çmime më të larta importi 

TIRANE-Qytetarët shqiptarë duhet të përgatiten për t’u përballur me një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm, përfshi këtu ushqimet. Banka e Shqipërisë ka analizuar ecurinë e deritanishme të çmimeve, të cilat kanë pësuar rënie gjatë muajve të parë të këtij viti, për shkak të uljes drastike të çmimeve të mallrave të importit. Por kjo tendencë rrezikon të ndryshojë tërësisht, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës kombëtare, lekut. Ekspertët e institucionit mbikëqyrës bankar argumentojnë se dobësimi i lekut është faktor më përcaktues në ecurinë e çmimeve sesa reduktimi i kostove të mallrave të importit.
Sipas tyre, zhvlerësimi i lekut do të përkthehet në çmime më të larta importi, duke ushtruar presione rritëse në nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vend. Por, përveç dobësimit të monedhës kombëtare, një tjetër arsye që pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit gjatë muajve të ardhshëm është edhe sezoni turistik. Eksperienca e deritanishme ka treguar se çmimet rriten për shkak të shtimit të kërkesës nga turistët dhe emigrantët, që kthehen në atdhe për pushime.
Cmimet shënojnë nivele të larta, veçanërisht në qytetet bregdetare. Kjo pavarësisht se në treg futet prodhimi vendas bujqësor, i cili të paktën teorikisht duhet të shkaktojë uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›