E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen sëmundjet e viteve ‘60

 

zirina llambro

Rikthehen sëmundjet infektive të viteve ‘60. Bruceloza, leshmanjoza, dizenteria, apo zgjebja kanë shënuar rritje nga viti në vit. Kjo për shkak të higjienës së ulët sanitare kryesisht në zonat rurale. Përveç tyre, vendi ynë është i ekspozuar edhe ndaj sëmundjeve të reja infektive, të cilat nuk kanë qenë të përhapura më parë në popullatë. Gjithçka u bë me dije dje në konferencën “Sëmundjet infektive, epidemitë e pandemitë”. Nga të dhënat rezulton se me problematikja mbetet sëmundja e brucelozës që kalon nga kafshët te njeriu. Harta e shtrirjes së kësaj sëmundje i përket gjithë territorit të vendit, por më e përhapur në pjesën jugore të vendit. Çdo vit regjistrohen më shumë se 600 të infektuar. Nga sa pohuan specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, mosvaksinimi i kafshëve prej fermerëve është shkaku kryesor i kësaj situate. Ndërsa sa i përket sëmundjeve të tjera si dizenteria apo zgjebja, higjiena e ulët personale nxit shfaqjen e këtyre infeksioneve. Problematike mbetet situata edhe për hepatitet. Mbi 1 për qind e shqiptarëve janë të prekur nga hepatitet e tipit A, B dhe C. Sipas statistikave, llogariten rreth 30 mijë vetë me këto tipa sëmundjesh. Ndërsa verdhëza ose hepatiti A mbetet në kontroll si pasojë e vaksinave, Hepatiti B është problem jo vetëm për evidentim por edhe trajtim. Barnat për kurimin e kësaj sëmundjeje janë tepër të shtrenjta. Rimbursimi i tyre bëhet vetëm për një pjesë të së prekurve, duke listuar në radhë rastet më problematike me nevoja emergjente. “Shumë raste me sëmundje ngjitëse nuk e dinë që mund të jenë mbartës të tyre, informohen rastësisht, madje as nuk trajtohen sipas protokolleve të nevojshme duke u bërë kështu jo vetëm problem për komunitetin”, u shpreh dje zv/ministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj. Ai u ndal tek komunikimi me publikun, që synon të japë dhe pasqyrojë tërësinë e masave që merren në emër të popullatës, me synimin e vetëm shëndetin e njerëzve. Ndërsa, kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu, nënvizoi se sistemi shëndetësor shqiptar ka qenë i aftë t’i bëjë ballë mjaft problemeve të mëdha që janë shfaqur .Ai përmendi si shumë të rëndësishme në këtë drejtim ligjet “Për kujdesin shëndetësor” dhe “Për shëndetin publik”, të cilët kanë kapituj, që i dedikohen kësaj problematike, element i rëndësishëm i një vendi. Strukturat shëndetësore të vendit tonë morën dje edhe garancinë për mbështetje nga italianët në sektorin e sëmundjeve infektive. Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, gjatë konferencës theksoi se çdo politikë shëndetësore e suksesshme duhet të mbështetet në kontroll dhe parandalim dhe jo në ndërhyrje emergjence dhe kurimi. “Është thelbësore të zhvillohet një koncept global për të drejtën e shëndetit dhe mbrojtjen e tij dhe është po aq e rëndësishme të përballemi me sfidat në këtë fushë”, tha D’Elia.

Semundjet

    Bruceloza
    Leshmanjoza
    Dizanteria
    Zgjebia
    Antraksi
    Hepatitet

Ministria: Jemi të përgatitur për pandemitë
Sistemi shëndetësor shqiptar është i gatshëm të përballojë situata në rast pandemie. “Në rast të një pandemie, specialistët e parë që do të përballen janë ata të shëndetit publik dhe të sëmundjeve infektive. Personeli është i mjaftueshëm në Shqipëri, qoftë në numër, por dhe kapacitetet e tyre janë të mjaftueshme për të përballuar situatën”, tha drejtori i Planifikimit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Arjan Harxhi. Sipas tij, bëhet fjalë për situata që kërkojnë rishikim të rregulloreve, zbatim dhe përshtatje të rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit, në kushtet aktuale për situata kur duhen angazhuar fonde financiare të mëtejshme, kur duhet vlerësuar
dhe përsosur sistemi shëndetësor.

Gripi i derrave, rreziku nga emigrantët
Rrezikun më të madh për t’u prekur nga gripi i derrave vendi ynë do ta ketë pas gushtit. Kjo pasi në këtë periudhë lëvizjet e emigrantëve janë masive. Profesor Giovanni Rezza, drejtor i Kërkimeve Shkencore në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në Rome u shpreh në konferencën e djeshme se për momentin Shqipëria është më e qetë edhe se Italia për sa i përket virusit A-H1N1. “Për Shqipërinë, aktualisht situata është e qetë. Por mendoj se vendet si Italia dhe Shqipëria ashtu si dhe vende të tjera të Evropës rriskojnë në stinën e vjeshtës, pasi hapen shkollat, frekuentohen lokalet e mbyllura dhe virusi ka tendencë për t’u përhapur më shpejt”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›