BSH: Kreditë me probleme do të arrijnë kulmin në qershor 2010
Banka e Shqipërisë jep alarmin për përkeqësimin e situatës për sa i përket shtimit të kredive me probleme. Kjo pjesë e sëmurë e portofolit të kredive të sistemit tonë bankar, duket se do të kulmojë pikërisht në mesin e verës, ose në fundin e pjesës së parë të këtij viti. Sipas BSH-së: “Vlerësohet që përkeqësimi i cilësisë së kredisë do të shënojë vlerën më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 dhe do të stabilizohet në gjysmën e dytë të tij. Një përmirësim gradual por i qëndrueshëm i këtij treguesi, pritet të shfaqet në vitin 2011”. Burimet kryesore të rrezikut lidhen kryesisht me situatën makroekonomike në vend dhe me gjendjen e brendshme të disa treguesve të veprimtarisë bankare. BSH-ja bën apel që, për kreditë ekzistuese bankat të reflektojnë plotësisht madhësinë e kredive me probleme dhe të krijojnë rezervat përkatëse për rrezikun e humbjeve nga kreditë. “Në portofolin e kredive me probleme, bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme, dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë në këmbim të shtimit të elementëve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin vendosmërisht procedurat ligjore për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë”,- rekomandon BSH-ja. Duke vlerësuar para së gjithash mundësinë e pagesës së kredisë nga ana e kredimarrësve dhe sigurinë e kreditimit, BSH-ja gjykon që ekzistojnë mjaft hapësira për bankat tregtare, që në varësi të madhësisë dhe mundësive që kanë, të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Ecuria e cilësisë së portofolit të kredisë do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi rezultatin financiar të bankave. Kjo do të thotë që veprimtaria e kreditimit të sektorit bankar do të vazhdojë të ndeshet me një mjedis sfidues dhe përmirësimet e synuara në cilësinë e kredisë do të kërkojnë më tepër kohë. Edhe zhvillimet ekonomike do të ushtrojnë presion mbi situatën financiare të sipërmarrjeve të biznesit dhe të familjeve, në gjashtë muajt e parë të vitit 2010. Sipas BSH-së, përmirësimet në ekonominë ndërkombëtare pritet të zbusin efektin ngadalësues mbi rritjen ekonomike në vend, vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2010, pas vendosjes në një gjendje më të stabilizuar të ekonomisë greke, si dhe pas ndikimit sezonal të turizmit. Gjendja financiare e sektorit real të ekonomisë së vendit, e sipërmarrjeve të biznesit dhe e familjeve, pritet të jetë përgjithësisht e pandryshuar, ku një përmirësim mund të ndodhë vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit.
15 Prill 2010