Sondazhi i ISN-së: “89% e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në BE”
Sipas një sondazhi të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, 89% e qytetarëve janë pro integrimit në BE, një pjesë e mirë e të cilëve e lidhin këtë proces me lirinë e udhëtimit në Europë. Dy dekada pas rënies së komunizmit, jo pak shqiptarë mendojnë se po afrohet koha që vendi të hyjë në familjen europiane. Slogani kryesor i lëvizjes popullore antikomuniste në vitin 1990 ishte: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Jo pak njerëz e shohin procesin nga fokusi i heqjes së regjimit të vizave për udhëtimin në Europë. Disa të rinj dhe studentë të pyetur nga BBC-ja mendojnë se psikologjikisht do të ndjeheshin më mirë, më afër me qytetarët e Europës. Shqipëria është aktualisht në procesin e liberalizimit apo heqjes së vizave me vendet e BE-së. Autoritetet shprehen prej kohësh optimistë se kjo do të ndodhë brenda vitit 2010. Ministri i Jashtëm i Italisë, Fratini, deklaroi dy ditë më parë në Tiranë se përgjigjja do të jepet gjatë takimit të nivelit të lartë europian të Sarajevës, në fillim të muajit qershor. Në sondazhin e kryer nga ISN-ja rezulton se 36.5% e njerëzve janë pro integrimit, pikërisht për lëvizjen e lirë. Nëse kjo aspiratë realizohet, a do të bjerë edhe në Shqipëri mbështetja për integrimin europian në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit? Për BBC-në përgjigjet drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi. "Ka shumë gjasa që kjo mbështetje të zbresë, pavarësisht nga fakti se kjo do të ishte në fakt një lexim mekanik dhe shumë hipotetik i situatës, por megjithatë, realizimi i një kërkese, e cila ka qenë shumë sensitive për publikun, ka mjaft gjasa që ta reduktojë këtë mbështetje dhe ta mbajë atë në trendet normale. Kam parasysh këtu Kroacinë, ku mbështetja ka qenë rreth 50% ose dhe vendet e tjera të Europës Qendrore apo Lindore dhe të BE-së", - tha zoti Rakipi. Megjithëse entuziastë në rrugën drejt BE, shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se vendi nuk është i përgatitur. Kështu mendojnë rreth 48% e të pyeturve. Jo pak njerëz kanë rezerva për stadin aktual të zhvillimit të vendit dhe standardet ende të ulëta të zhvillimit të shoqërisë, krahasuar me ato të Europës. Nga sondazhi i kryer nga ISN-ja del se rreth 65% e shqiptarëve mendojnë sot se hyrja e Shqipërisë në BE do të bëhet realitet deri në vitin 2015. Të tjerë, 14%, mendojnë për vitin 2020, kurse 9% janë më pesimistë duke u shprehur se vetëm pas vitit 2020 do të jetë e mundur që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane.
Marrë nga “BBC”
15 Prill 2010