E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale jashtë standardeve, bisedime mes biznesit dhe qeverisë



Përplasja mes shoqërive të kasave fiskale dhe subjekteve në sektorin e hidrokarbureve ka detyruar Ministrin e Financave që të mbledh palët për ballafaqim. Konflikti mes palëve qëndron edhe në sistemin e ri të instalimit të kasave për pompat e karburanteve, një pjesë e të cilave janë jashtë standardit, kurse të tjerat kanë mangësi në leximin e të dhënave. Takimet e para u zhvilluan dje paradite në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e më pas gjatë pasdites në Ministrinë e Financave. Biznesi ka ngritur pretendimet për mungesë korrektësie në zbatimin e kontratave për instalimin e pajisjeve fiskale. Shoqëritë e sektorit të karburanteve pretendojnë se kanë paguar për kasat fiskale, por që malli nuk u ka ardhur sipas kontratës, sikurse kundërshtojnë sistemin e ri të pajisjeve fiskale. Nga ana e tyre, kompanitë e autorizuara nga qeveria për vendosjen e kasave pretendojnë se karburantet u kanë borxhe që shkojnë në disa qindra mijë euro, për shkak se u kanë instaluar pajisjen, ndërsa nuk janë likuiduar. MF-ja e ka konfirmuar faktin se janë kryer disa teste në terren pranë pikave të karburanteve, nga ku u zbuluan mangësi në kasat e instaluara nga disa prej 5 shoqërive. Pas testimeve të tjera kanë dalë me konkluzionin se vetëm sistemi i ri, sipas VKM-së së fundit, konsiderohet i duhuri. “Me sistemin e ri të vendosjes së kasës fiskale, sipas standardit të BE-së, nuk lë hapësira për abuzime të shmangies së detyrimit tatimor, si dhe të cilësisë, pasi çdo veprim i kryer me pompën regjistrohet automatikisht”,- sqaron MF-ja. Gjatë takimit të zhvilluar dje në ministri, shoqëritë e kasave kanë paraqitur situatën me shitjen e kasave në pikat e karburantit, kontratat e lidhura, si dhe standardin e ndjekur. Takimi u krye pas ankesës së Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, të cilat akuzojnë tatimet për gjobat e vendosura padrejtësisht, kur në fakt përgjegjësia bie mbi kompanitë e kasave.

Bonot e thesarit, interesat ulet me 17 pikë

Interesat e bonove të thesarit ranë në nivelin më të ulët në shumë muaj, në ankandin e zhvilluar dje pranë Bankës së Shqipërisë, si pasojë e kërkesës shumë të lartë të bankave për blerjen e borxhit të qeverisë. Interesi mesatar i pranuar ishte 8.35 për qind për bonot me afat maturimi 12-mujor, ndërkohë që në ankandin paraardhës të zhvilluar dy javë më parë, interesi pati qenë 8.52 për qind. Që nga fillimi i vitit, interesat e bonove kanë rënë 100 pikë bazë ose 1 për qind, pasi patën shënuar kulmin shumëvjeçar në kuotën 9.4 për qind. Në ankandin e djeshëm konkurruan 31 kërkesa të hedhura nga bankat e nivelit të dytë dhe nga to u pranuan vetëm 8 kërkesa. Shkaku i rënies së interesave është rritja e shpejtë e depozitave në sistemin bankar shqiptar, ndërkohë që bankat po ngurojnë t’i hyjnë kreditimit masiv të ekonomisë. Rënia e interesave edhe gjatë muajit prill, indikon se depozitat në sistem po vijojnë të rriten. Interesat e bonove me afat maturimi 6-mujore mbetën të pandryshuara dje në kuotën 7.3 për qind.

Prifti: “Thithja e investimeve, me rëndësi për qeverinë”

Thithja e investimeve të huaja është me rëndësi të veçantë për qeverinë, është shprehur ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë ceremonisë së prezantimit të një aktiviteti të ri ekonomik në Shqipëri. “Në Shqipëri ka një aktivitet të dendur ekonomik dhe një kthim të vëmendjes së investitorëve”,- ka deklaruar Prifti në ceremoninë e prezantimit të “Albacall”, një investim italian që mbështetet nga Grupi “Abramo”. Më tej, ai vlerësoi faktin se, në Shqipëri vazhdon të rritet stabiliteti ekonomik dhe rritja ekonomike, në një kohë që një pjesë e mirë e fqinjëve të vendit tonë janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike. Një gjë të tillë, sipas ministrit, e dëshmon edhe hapja e “Albacall”, një aktivitet i ri ekonomik në vendin tonë. “Më vjen shumë mirë kur në një periudhë që fqinjët e Shqipërisë janë duke kaluar një situatë të vështirë ekonomike, në Shqipëri vazhdon të rritet stabiliteti ekonomik, pra rritet ekonomia. Ne si qeveri i japim një rëndësi të jashtëzakonshme thithjes së investimeve të huaja në vend dhe mbështesim një pjesë të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit bazuar mbi investimet e reja në Shqipëri”,- tha ministri Prifti.

Çmimi i karburanteve, brenda 1 muaji është rritur 2 herë

Rritet sërish çmimi i karburanteve. Gjatë ditës së djeshme, nafta dhe benzina janë shitur me 3 lekë më shtrenjtë. Kështu, në pikat e karburanteve, nafta ka arritur në 136 lekë për litër, nafta e cilësisë së mirë, e njohur ndryshe si eurodieseli shitet me 140 lekë për litër, ndërsa benzina me 146 lekë për litër. Kjo është rritja e dytë e çmimit të karburanteve në vendin tonë brenda një muaji. Importuesit shpjegojnë se rritja e çmimit ka ardhur si pasojë e ecurisë së bursave ndërkombëtare. Sipas tyre, krahas rritjes së kuotave të arit të zi, në tregun ndërkombëtar është forcuar edhe dollari, monedhë në të cilën shkëmbehet nafta. Rritja e çmimit të karburanteve do të rëndojë mbi të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se është një ndër mallrat kryesorë të konsumit të përditshëm.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›