E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronarët kundërshtojnë dhënien me qira nga shteti të tokave të papunuara



Ligji për dhënien me qira të tokave të papunuara po has në kundërshtime me pronarët. Ky ligj është miratuar në Parlament vetëm me votat e maxhorancës, duke mos u konsultuar as me grupet e interesit. Shifrat zyrtare tregojnë se rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore, në 700 mijë hektarë që ka gjithsej Shqipëria të regjistruara në Kadastër, janë djerrë. Arsyet kryesore janë emigrimi menjëherë pas rënies së regjimit komunist, kryesisht në Greqi dhe në Itali, e brezit të ri të pronarëve të saj dhe migrimi i brendshëm, braktisja e fshatit dhe dyndja e popullsisë rurale drejt zonave urbane, qyteteve të mëdha, në kërkim të një jete më të mirë. Fjala është për 440 mijë familje që morën tokë në vitin 1992 dhe 1995 në bazë të ligjit të ndarjes së pasurisë në ish-kooperativat bujqësore dhe ish-fermat shtetërore.
Ligji
Në bazë të këtij ligji, shteti gëzon të drejtën që tokën e papunuar t'ia marrë pronarit dhe t'ia japë me qira, fillimisht me një kontratë pesëvjeçare të rinovueshme, një personi tjetër që ta punojë. Por, kryetari i Komisionit Parlamentar për Bujqësinë, Jemin Gjana, njëkohësisht deputet i PD-së, e vlerëson si një hap të mençur dhe në kohën e duhur miratimin e këtij ligji. “Qëllimi i tij është futja në qarkullimin ekonomik të rreth 10% të tokave që figurojnë në Kadastër si toka bujqësore që janë të ndarë në pronësi private dhe për t'i mbjellë ato me kultura të ndryshme bujqësore. Interesi i ligjit është të inkurajojë vënien e këtyre tokave në qarkullim ekonomik”, - është shprehur Gjana.
Procesi i dhënies me qira të tokave djerrë do të fillojë me evidentimin e tyre nga bashkitë dhe komunat. Më pas tokat e papunuara do të nxirren në ankand dhe do të jepen me qira. Ligji parashikon që pas përfundimit të kontratës toka mund t'i kthehet pronarit nëse ai e punon ose të vazhdojë të jepet me qira përmes rinovimit të kontratës. Sipas tij, 80% e parave të dhënies së tokës me qira do t'i marrë pronari i saj kurse pjesën tjetër pushteti lokal.
Shoqatat e pronarëve
Miratimi i këtij ligji është pritur me kundërshtim nga pronarët. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës, ”Pronësi me drejtësi", Agim Toro, e vlerëson ligjin si një veprim të dhunshëm nga shteti, të pamoralshëm, antikushtetues, që ndërhyn në të drejtat e atyre njerëzve që ai i ka quajtur pronarë dhe që pronat e tyre janë të regjistruar në zyrat e pasurive të paluajtshme. Ai argumenton se në bazë të Kodit Civil, vetëm pronari është ai që ka të drejta reale mbi një pronë, për ta shitur apo dhënë me qira. “Mënyra se si shteti do t'ua marrë tokat djerrë pronarëve, duke shkelur këtë të drejtë, duke vendosur vetë shteti normat e qirasë nuk bën gjë tjetër, veçse shkel dhunshëm të drejtat e individit në kuptimin e pronësisë”, - tha Toro.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›