BSH: Në tregun valutor mund të ketë spekulantë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dha një përgjigje të prerë kur u pyet për të ardhmen e vlerës së lekut: "Kursi i këmbimit në Shqipëri është i luhatshëm", - u shpreh ai. Leku ka humbur 7 për qind kundrejt euros gjatë muajit shkurt, por u stabilizua në kuotën 130 lekë gjatë marsit. Fullani nuk e përjashton mundësinë që kursi të ketë luhatje, por dha indikacion të qartë se nuk ka ndërmend të parandalojë nënçmimin e lekut. Fullani duket se është mes "dy zjarreve". Nga njëra anë, nënçmimi i lekut sjell automatikisht rënie të importeve dhe balancim. Nga ana tjetër, rrezikon të ulë aftësinë paguese të kredimarrësve në valutë. Teorikisht, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në tregun valutor vetëm në rast se sheh veprime spekulative nga subjekte të caktuara, ndërsa luhatjet që vijnë nga deficitet, janë të mikëpritura për shkak se shërbejnë si vetëkorrigjim i tregut. Nga ana tjetër, Fullani përmendi faktin se luhatjet e tepruara të lekut mund të ulin besimin e tregut te monedha kombëtare, gjë që sjell pasoja negative. "Lëvizjet e shpejta dhe të pakontrolluara të kursit të këmbimit ndikojnë negativisht në psikologjinë e publikut dhe fshehin brenda tyre veprime spekulative të subjekteve të ndryshme", - tha Fullani.
Shumë qytetarë janë të shqetësuar nga perspektiva e rënies së vlerës së lekut, gjë që do të ulë automatikisht vlerën reale të pagave të veta kundrejt mallrave të importit dhe kësteve të kredive në euro. Por tani për tani, Banka e Shqipërisë bën të qartë se leku do të ndjekë kërkesën dhe ofertën.