E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAZ-të, KARTAT E IDENTITETIT DHE LISTAT

Edhe 80 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Më 31 mars 2009, në gazetën "Shqip" botova shkrimin: "A njihen zgjedhësit me listat e shpallura". Ky problem vazhdon të jetë aktual dhe i një rëndësie të veçantë.

Në shkrimin e sotëm mendova të shpreh disa mendime lidhur me:

a) Komisionet e Zonave të Administratës Zgjedhore; b) kartat e identitetit; c) listat shumemërore.

KZAZ-të

Edhe pse me disa ditë vonesë, ato u ngritën. Sipas njoftimeve të KQZ-së, vonesa u shkaktua, sepse disa parti politike që, sipas Kodit Zgjedhor kanë të drejtën e propozimeve për anëtarë të këtyre komisioneve, nuk i paraqitën ato në afatet ligjore, d.m.th brenda datës 13 mars 2009. Kjo vonesë e vuri KQZ-në në vështirësi, aq më tepër edhe për faktin se ajo duhet të verifikonte papajtueshmërinë me detyrën e anëtarit dhe sekretarit të KZAZ-së, si dhe kriteret për emërimin e anëtarit dhe sekretarit të KZAZ-së (nenet 30 dhe 31 të Kodit Zgjedhor). Kishte gjithashtu, parti politike (gjithmonë sipas njoftimit të KQZ-së), që nuk respektuan detyrimin ligjor që parashikon neni 29, pika 1, germa "ç" e Kodit, që "30 për qind e anëtarëve të propozuar përkatësisht nga partia e madhe e shumicës dhe partia më e madhe e opozitës në shkallë vendi, duhet të jenë nga secila gjini".

KQZ-ja, në kushtet kur në Kodin Zgjedhor nuk parashikohej ndonjë masë apo sanksion ndaj partisë që nuk e plotëson këtë kërkesë (siç ndodh p.sh. në rastin e listave shumemërore që do të përmendim më poshtë), si dhe për faktin se vonesa në krijimin e KZAZ-ve do të shoqërohej me pasoja të dëmshme, vendosi krijimin e tyre edhe me këtë boshllëk. KZAZ-të kanë detyra të rëndësishme. Për realizimin me sukses të tyre mund të sugjerohej: a) Partitë politike të mos kërkojnë zëvendësimin e anëtarëve të KZAZ-ve, me përjashtim të rasteve të rralla e të justifikuara; b) KQZ-ja të fillojë menjëherë trajnimin e tyre. Ai duhet të jetë rigoroz, cilësor dhe i certifikuar.

Kartat e identitetit

Në rekomandimet që përmban raporti i OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005, thuhet: "Nëse qeveria dëshiron të nxjerrë dokumente të reja identifikimi, kjo duhet të paraprihet nga një proces i gjerë konsultimesh" (shih raportin e datës 7 nëntor 2005, rekomandime, pika 19, faqe 13, përkthimi shqip). Nuk di që për këtë problem kaq të rëndësishëm, duke pasur parasysh edhe rekomandimet e mësipërme të OSBE/ODIHR-it, të jenë zhvilluar paraprakisht konsultime të gjera. Ndoshta po të ishte vepruar kështu, disa pretendime apo kritika të sotme mund të ishin sheshuar e parandaluar.

Ka interes që problemi i mësipërm, pa u politizuar, të trajtohet në aspektin ligjor. Kodi Zgjedhor u miratua më 29 dhjetor 2008 dhe hyri në fuqi më 14 janar 2009. Ai mund të ishte miratuar më parë dhe hartimi i tij t‘i nënshtrohej një debati më të thelluar dhe gjithëpërfshirës, pavarësisht nga votimi i tij me konsensusin e gjerë të dy partive më të mëdha. Pajisja e zgjedhësve me karta identiteti ishte për të gjithë e mirëpritur, sepse ishte element i rëndësishëm përbërës i standardeve në zgjedhjet. Edhe pse kjo ishte dhe është detyrë e qeverisë, sanksionimi i saj në Kodin Zgjedhor impononte debatin konstruktiv, se cilat do të ishin mënyrat dhe mjetet më të mira e më të efektshme që do të garantonin zbatimin e kësaj kërkese ligjore.

Sipas nenit 179, pika 1 e Kodit Zgjedhor, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, zgjedhësit mund të votojnë edhe me pasaporta të vlefshme, të lëshuara sipas ligjit, ndërsa në pikën 2 të këtij neni thuhet: Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta". Duke iu përmbajtur me rigorozitet dispozitave të mësipërme ka baza të arrihet në përfundimin, se:

a) shtetasit, që kanë pasaporta në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, mund të votojnë lirisht edhe pa u pajisur me karta identiteti;

b) Me shprehjen "përparësi" nënkuptohet se kryesorja e kryesoreve është pajisja me karta identiteti e zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta;

c) pa garantuar aplikimin dhe pajisjen e zgjedhësve që nuk kanë pasaporta me karta identiteti asnjë hap i mundshëm risku nuk duhet hedhur.

Gjatë këtij procesi nuk duhet të përfshiheshin zgjedhësit që dispononin pasaporta, edhe për faktin se koha ishte relativisht e shkurtër dhe e ngjeshur.

Mendoj se Këshilli i Ministrave, qysh në vendimin e tij të parë (pas miratimit të Kodit), në zbatim të nenit 179 të Kodit Zgjedhor duhet të kufizohej kryesisht në çështjen e pajisjes të zgjedhësve që nuk kishin pasaporta me karta identiteti, sepse këtë kërkonte dispozita e mësipërme e Kodit. Nëse në aktet e mëvonshme u theksua se përparësi duhet t‘u jepej atyre që nuk dispononin pasaporta, mendoj se nuk ka arsye të thuhet që në këtë drejtim, u mor parasysh propozimi i opozitës, kur dihet se (siç u përmend më lart) kjo është kërkesë e nenit 179 të Kodit Zgjedhor.

E konsideroj të nevojshme të theksoj gjithashtu se jo rastësisht neni 179 i Kodit Zgjedhor është titulluar: "Pajisja e zgjedhësve me dokumente identifikimi për qëllime votimi", pavarësisht nga fakti se karta e identitetit do të shfrytëzohej në favor të shtetasve, edhe për shërbime të tjera.

Këshilli i Ministrave, në fillim të prillit 2009, në mbështetje të nenit 179 të Kodit Zgjedhor, ndryshoi pikën 4/1 të vendimit të tij nr.1, datë 7.01.2009, si më poshtë: Procedura e aplikimit për shtetasit e tjerë, të cilët disponojnë pasaporta fillon më datën 1 Maj 2009. Bëjnë përjashtim nga ky rregull shtetasit që kanë aplikuar përpara datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht".

Nuk është e kuptueshme, përse ky vendim i Këshillit të Ministrave i referohet nenit 179 të Kodit Zgjedhor, kur dihet se ky nen ngarkon po Këshillin e Ministrave të nxjerrë akte nënligjore vetëm për pajisjen e shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe vetëm "për qëllime votimi".

Nga data 1 Maj 2009 deri në zgjedhjet e qershorit mbeten edhe 57 ditë. A ka garanci që deri më 1 Maj 2009 do të ketë përfunduar aplikimi dhe pajisja me karta identiteti e zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta? Nëse jo, brenda këtyre 57 ditëve a mund të përballohet me sukses aplikimi dhe pajisja, si me karta identiteti, edhe me pasaporta biometrike i të dy grupeve? Përgjigjja e këtyre pyetjeve të natyrshme mendoj se duhet të bëhet me llogari, me ditë dhe javë, me të dhëna konkrete, të verifikuara e me përgjegjësi.

Ministri i Brendshëm, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.50 datë 23.01.2009, më 29 janar të këtij viti ka lëshuar udhëzimin nr. 53 "Për miratimin e formës dhe përmbajtjes së formatit të njoftimit dhe masat për pajisjen me përparësi me letërnjoftim të shtetasve shqiptarë që nuk disponojnë pasaporta".

Në pikën 6 të këtij udhëzimi thuhet: "Me marrjen e dosjes me njoftimet përkatëse, administratori i lagjes, kryetari i fshatit dhe personi i ngarkuar nisin njoftimin, i cili në çdo rast duhet të jetë kryer jo më vonë se 10 shkurt 2009". Ndërsa në pikën 7 thuhet: "Administratori i lagjes, kryetari i fshatit, personi i ngarkuar, pasi kanë dorëzuar njoftimin te shtetasi, i kërkojmë atij të nënshkruajë në listën që ata kanë për të evidentuar lajmërimin".

Kur e lexon këtë udhëzim është e natyrshme të bësh pyetjen: deri më 10 shkurt 2009, sa shtetas që nuk disponojnë pasaporta janë njoftuar dhe a ka për këtë dokument të nënshkruar prej tyre? Ose (qoftë edhe jashtë këtij afati) deri më sot, sa persona nga ata që nuk disponojnë pasaportë janë njoftuar dhe si rrjedhim kanë firmosur? Këto të dhëna mendoj se janë të nevojshme, jo vetëm për zbatimin e një akti nënligjor, por edhe për transparencë e sensibilizim, ashtu siç është e nevojshme edhe thirrja për të pajisur me karta identiteti.

Në Fletoren Zyrtare nr. 11/1 të 12 shkurtit 2009, bashkëngjitur udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, është botuar edhe njoftimi për "Detyrim pajisje me letërnjoftim elektronik", që i adresohet personit pa pasaportë e ku kërkohet aplikimi me letërnjoftim brenda 30 marsit 2009 dhe pajisja jo më vonë se 15 prilli 2009. A është zbatuar ky detyrim dhe kjo kërkesë? Në këtë njoftim bie në sy ajo që thuhet, "në bazë të VKM-ve të mësipërme, pika 4, për shtetasit që janë në moshën mbi 18 vjeç në datën 28 qershor 2008 dhe që nuk disponojnë pasaportë". Kjo duhet të jetë lapsus, sepse në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor përmendet shprehja: "Që ka mbushur moshën 18 vjeç (neni 45 pika 1 e Kushtetutës dhe neni 3 pika 2 e Kodit Zgjedhor)".

Është ngritur çështja që, me kartat e identitetit të pajisen falas të gjithë zgjedhësit që nuk disponojnë pasaportë. Nuk preferoj të shpreh mendim për një çështje që nuk ka të bëjë me aspektin ligjor të problemit. Nuk më takon të bëj përllogaritje të faturës financiare. E rëndësishme është të garantohet ushtrimi i së drejtës kushtetuese në zgjedhjet parlamentare e lokale. Garantimi i kësaj mundësie nuk nënkupton edhe detyrimin për pjesëmarrjen në votim. Mospjesëmarrja në zgjedhje, për shkak të mungesës së dokumentit të identifikimit, mendoj se përbën element minus në arritjen e standardeve që kërkohen. Synohet një pjesëmarrje sa më e gjerë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm. Në këtë vështrim, sensibilizimi dhe kontributi modest i secilit, luan një rol të rëndësishëm.

Në mbyllje të trajtimit të kësaj çështjeje, e shikoj të nevojshme t‘i rikthehem nenit 179 të Kodit Zgjedhor dhe pikërisht pikës 3 të tij ku thuhet: "Lista e shtetasve, sipas pikës 2 të këtij neni, i dorëzohet KQZ-së". Është fjala për personat që nuk kanë pasaporta. Dhe më poshtë: "Ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike, jo më pak se njëherë në muaj KQZ-në, në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti". Nuk e dimë nëse kjo kërkesë ligjore është zbatuar. Ky informacion, që duhet t‘i jepet KQZ-së, nuk ka karakter formal. Kemi parasysh që, sipas nenit 21, pika 3 e Kodit Zgjedhor, KQZ "drejton dhe kontrollon kolegjialisht, nëpërmjet çdo anëtari ose strukturave të saj, procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor". Prandaj, jashtë sferës të kompetencës të kontrollit nga ana e KQZ-së nuk mund të qëndrojë zbatimi i nenit 179 të Kodit Zgjedhor, sepse pajisja e zgjedhësve me dokumente identifikimi, ka për qëllim garantimin e mundësisë dhe kushteve për ushtrimin e të drejtës së votës.

Listat shumemërore

Është fjala për listat e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive. Sipas nenit 67 të Kodit Zgjedhor, ato duhet t‘i paraqiten KQZ-së nga subjektet zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve. Ka persona që nuk e njohin Kodin Zgjedhor dhe kur dëgjojnë se kjo apo ajo parti publikon ose paraqet në takimet me popullin këtë apo atë kandidat për deputet pyesin: Po partitë e tjera kur duhet t‘i paraqesin?

Listat e kandidatëve për deputet, siç dihet, zyrtarizohen vetëm pas verifikimit nga KQZ-ja. Shpallja e parakohshme e disa kandidatëve, eventualisht edhe e listave shumemërore, aq më tepër kur partitë politike ose koalicionet partiake as që janë regjistruar si subjekte zgjedhore, mendoj se është një nismë politiko-partiake ose taktiko-partiake. Në përmbajtje të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, kur bëhet fjala për listat e kandidatëve dhe koalicionet partiake, për mendimin tim ka edhe ndonjë problem të diskutueshëm, edhe pse aktualisht derisa Kodi ka hyrë në fuqi, kryesore mbetet zbatimi i tij.

Së pari, nuk më duket e drejtë ajo që thuhet në pikën 3 të këtij neni se, ndryshe nga kandidatët e tjerë, kryetarët e partive politike që konkurrojnë "mund të kandidojnë në një ose më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend";

Së dyti, nuk më duket e drejtë që në pikën 5 të këtij neni, megjithëse e bën të detyrueshëm 30 përqindëshin e listës shumemërore për secilën gjini, theksohet se: "një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t‘i përkasin secilës gjini", ndërsa kur bëhet fjalë për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore thuhet shprehimisht: "Një në çdo tre emra në listë duhet t‘i përkasin secilës gjini".

Është e drejtë e partive politike ose koalicioneve përkatëse që në zbatim të ligjit të kenë parasysh edhe frymën e parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit. Besoj se pas zgjedhjeve të 28 qershorit, dispozita e nenit 67 të Kodit Zgjedhor do të rishikohet.

Trajtimi i çështjeve të mësipërme lidhet me aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor. Kuptimi dhe zbatimi i drejtë i tyre, direkt apo indirekt, mendoj se do të ndikonte pozitivisht për të realizuar zgjedhje me standardet që kërkohen; të lira, të ndershme e të pakontestuara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›