E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, rëndohet bilanci i viktimave

Rëndohet nga ora në orë bilanci i tërmetit në Itali. Numri i viktimave prej goditjes sizmike që shkatërroi Abruzon në natën mes të dielës dhe të hënës ka arritur në 228.

Vetë Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka deklaruar të dhënat tragjike të bilancit të viktimave të tërmetit që goditi zonën e Abrucos në Italinë Qendrore. Mesditën e djeshme ai citoi 207 viktima, por numri i tyre deri në mesnatë u rrit sërish. "Mes viktimave 17 janë të paidentifikuara ende. 150 persona të tjerë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat. Të plagosurit janë pak më shumë se një mijë dhe të shtruarit në spital janë 500 vetë mes të cilëve 100 në gjendje të rëndë", ka deklaruar dje në një konferencë shtypi në zonën e goditur, kreu i qeverisë italiane, Berluskoni. Ai ka premtuar mesditën e djeshme se brenda mbrëmjes do të instaloheshin edhe 20 vend-qëndrime me tenda, së bashku me 16 kuzhina fushore, të cilat mund të strehojnë 14 mijë e 500 persona.

Ndërkohë, operacionet e kërkimit nën gërmadha vazhdojnë me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Por, nga ana tjetër, toka vazhdon të dridhet akoma. Një lëkundje tjetër tërmeti është verifikuar në orën 11:27 me magnitudë 4.3 ballë. Epiqendra është llogaritur të jetë mes Akuilës, Kolimentos dhe Villa Grande.

Ndërsa ka pasur edhe tërmete të tjera ku më i fuqishmi ka qenë 4.8 ballë.

Në Onna, një nga fraksionet më të goditura nga tërmeti, njësitë e ndërhyrjes emergjente në kërkim të personave nën rrënoja kanë sinjalizuar për prezencën e trupave ende të pagjetur në këto godina të shkatërruara. Ndërsa, të pastrehët këtu arrijnë në 17 mijë vetë. Mbrojtja civile po organizon 234 skuadra për të verifikuar gjendjen e godinave të goditura nga tërmeti.

Kryeministri italian ka paralajmëruar gjithashtu popullsinë për lëkundje të tjera të mundshme tërmeti, kështu që askush nuk këshillohet të kthehet në banesë.

Operacionet e kërkimit nën rrënoja do të vazhdojnë edhe për 48 orë të tjera deri në momentin që do të krijohet bindja se do të jetë e pamundur për të gjetur të mbijetuar, ka thënë Berluskoni.

Vazhdon puna edhe për gjetjen e 4 të rinjve në konviktin e studentëve ku shumë punonjës të emergjencës civile po vazhdojnë punën.

Një tjetër premtim i kreut të qeverisë italiane lidhet edhe me objektet e reja që do të rindërtojnë zonën e shkatërruar. "Nuk mund të kemi kutinë magjike që të shndërrojmë ndërtesat e vjetra në pallate anti-sizmike, por pallatet e reja do të ndërtohen me sistemin antisizmik", tha Berluskoni. Më tej ai ka garantuar për një kohë të shpejtë të rikonstruksionit "ku nuk do të mungojë impenjimi i institucioneve lokale dhe qeverisë".

Kryeministri italian afirmon faktin se do t‘i pëlqente që këtu të ndërtohej i pari qytet i ri, ku sipas tij nuk do të mungojnë investimet private, të ndjekura nga disponibiliteti i bankave, për të siguruar një ringritje të shpejtë. Për sa i përket rikonstruksionit, Berluskoni përgjigjet me mundësinë e përdorimit të fondit për katastrofat të Bashkimit Evropian, ndërsa thekson se do të vihen në dispozicion të gjitha paratë që do të duhen për këtë proces.

Që prej ditës së sotme do të fillojë edhe një tjetër fazë delikate, ajo e ndërhyrjes në godina për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Do të kryhet një vëzhgim dhomë për dhomë dhe janë me mijëra shtëpi për t‘u ekzaminuar. Pikërisht me këtë detyrë do të merren 1500 teknikë shumë të kualifikuar. Gjithashtu, do të bëhet edhe një inventar i plotë për sa i përket situatës së trashëgimisë kulturore të kësaj zone, në mënyrë që të përgatitet një plan për të ndërhyrë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›