E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH Norma e interesit rritet me 0.25

Mungesa e prodhimit të bollshëm vendas dhe rritja e çmimeve në tregjet botërore, do të krijojnë probleme për konsumatorët shqiptarë gjatë gjithë këtij viti. Të detyruar nga ky presion i çmimeve gjithnjë e në rritje, Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë normën Bazë të Interesit.

"Këshilli Mbikqyrës i BSH vendos të rrisë me 0.25 për qind normën bazë të interesit. Pas kësaj rritje norma bazë e interesit shkon në nivelin 5.25 për qind. Objektivi final i kësaj lëvizje mbetet ankorimi i prirjeve të publikut për inflacionin pranë objektivit 3 për qind të BSH, njëkoësisht duke synuar parandalimin dhe minimizimin e efekteve të raundit të dytë", tha Ardian Fullani, guvernatori i BSH-së.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri me dije se çmimet nuk po njohin qëndrueshmëri, lëvizje që ka gjasa të ndodhe dhe në muajt e ardhshëm. "Ndërsa kahu i lëvizjes së inflacionit ishte i pritur dhe i komunikuar nga BSH, shpejtësia e rritjes së tij nuk ishte. Rritja e shpejtë e inflacionit në shkurt sugjeron se presionet e inflacionit të importuar paraqiten më të larta se sa vlerësimet tona fillestare dhe efekti i tyre është duke u transmetuar më i plotë", tha Fullani.

Guvernatori u shpreh se gjatë këtij viti është regjistruar rritje e depozitave në banka dhe rrjedhimisht nuk ka probleme me likuiditetin. I vetmi problem është ai me rritjen e ngadaltë të kredidhënies.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›