E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimorët e bashkisë, 3 milionë lekë për një objekt

23/03/2011  Dhjetë ditë përgjime nxjerrin në sipërfaqe korrupsionin në dyert e bashkisë

Prokuroria: Sekseri mori 700 mijë lekë, pjesën tjetër policët

TIRANE-Tre zyrtarët e Bashkisë së Tiranës të arrestuar dy ditë më parë nga njësia Task-Forcë, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën në rreth 20 raste, për të cilat mendohet se kanë marrë para nën dorë. Për të hedhur dritë mbi këto afera korruptive, zyra kundër krimit ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, ka kërkuar nga bashkia e kryeqytetit dhe ALUIZNI, dokumentacionin për rastet konkrete, me qëllim verifikimin e procedurave të ndërtimit të këtyre objekteve. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes së tre zyrtarëve të bashkisë për këto çështje ata kanë vendosur të heshtin, duke mos dhënë asnjë sqarim para prokurorëve të njësisë Task-Forcë. Sipas Prokurorisë, dy inspektorët ndërtimorë të Bashkisë Tiranë, Adem Cenmurati, Agustin Lekëgega dhe polici Ylli Bala prej dy muaj ishin vënë nën hetim. Ndërkohë që administrimi i provave në dosje është bërë dhjetë ditë më parë, periudhë kjo kur Prokuroria ka vendosur të vërë në përgjim personat e dyshuar. Specialistët e njësisë Task-Forcë kanë mundur të dokumentojnë dhe momentin kur zyrtarët e bashkisë kanë marrë shumën prej 3 milionë lekësh nga qytetari Simon Braolli. Sipas akuzës ka qenë një zarf me 3 milionë lekë të vjetra që sekseri ia ka dhënë punonjësve të bashkisë. Nga sa është dokumentuar rezulton se sekseri për vete ka mbajtur shumën prej 700 mijë lekësh të vjetra, ndërsa dy të arrestuarve të tjerë u ka dhënë 2.3 milionë lekë të vjetra. Fill pas kësaj në sulm janë hedhur forcat e policisë, ku kanë mundur të prangosin katër autorët e dyshuar. Njëri është arrestuar me lekët e marra ryshfet në zonën e Bërrylit, ndërsa personi tjetër është arrestuar në zonën e ish-bllokut. Ndërkohë, Prokuroria thotë se personi që i është vendosur “gjobë” ka paguar edhe ditën e shtunë një sasi prej 500 mijë lekësh të vjetra, të cilat nuk janë sekuestruar. Këto para janë shpenzuar nga personat e arrestuar. Ndërkohë pritet që ditën e sotme në gjykatën e Tiranës të zhvillohen masat e katër personave të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. E. Qyno

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›