E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksporti i energjisë, KESH-i kundër shifrave të INSTAT-it

23/03/2011  Korporata Elektroenergjetike: Shitëm 2,9 miliardë MWh në 2010

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shitur plot 2,934,226 MWh energji elektrike në vitin 2010. Kjo është shifra zyrtare e eksportit të energjisë, e cila është pasqyruar edhe në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2010. Këto shifra kundërshtojnë ato të raportuara nga INSTAT-i, i cili pohonte në raportin “Bilanci i energjisë 2010” se eksporti i energjisë përfshirë këmbimet është vetëm 1,905,549 MWH energji, ndërsa eksporti neto është akoma më i ulët me 1,736,380 MWh energji. Në sajë të këtyre kontratave të shitjes së energjisë, gjatë vitit të kaluar, KESH-i ka arritur të mbledhë të ardhura në vlerën e rreth 27 miliardë lekëve ose rreth 200 milionë eurove dhe duke nxjerrë një fitim total rreth 120 milionë euro. Vetë kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo, ka theksuar performancë shumë të mirë ekonomike për KESH-in, duke pohuar se eksporti i energjisë në tregun rajonal do të vijojë në pothuajse të njëjtat sasi, ose rreth 272 GWh edhe për 2011-ën, kuptohet në varësi të situatës hidrike. Gabimi i shifrave nga ana e INSTAT-it nuk duket dhe aq rastësor. Shumë organizma ndërkombëtare kanë shprehur rezerva për shifrat zyrtare të INSTAT-i si jo shumë të besueshme. Gjë që dëshmohet edhe nga ky krahasim i fundit i bërë me shifrat e eksportit të energjisë elektrike, që në fakt ka qenë një shifër pozitive edhe për buxhetin e shtetit, apo shlyerjen e borxheve të prapambetura të KESH-it, në masën rreth 110 milionë euro, detyrim i marrë në vitet 2007-2008 për import energjie.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›