BSH: Pagesat në banka “monopol”
Një numër i kufizuar bankash zënë peshën kryesore të totalit të aktivitetit të pagesave të mëdha, tregues ky i nivelit të përqendrimit”, vlerëson Banka e Shqipërisë në një studim mbi ecurinë e pagesave në banka
Pagesat që buxheti bën për rrogat dhe për shpenzime të tjera janë monopol. Banka e Shqipërisë në një analizë të fundit për ecurinë e pagesave në sistemin bankar gjatë këtij viti vërën se “një numër i kufizuar bankash zënë peshën kryesore të totalit të aktivitetit të pagesave të mëdha (AIPS), tregues ky i nivelit të përqendrimit.” Për shkak të shtrirjes gjeografike apo komisioneve të ulëta që ofrojnë për buxhetorët dhe jobuxhetorët, si dhe pagesa të tjera nga Thesari i shtetit, vetëm disa banka kryejnë pagesat. Pasi kanë marrë këtë shërbim, bankat shpesh aplikojnë komisione të paparashikuara në marrëveshjet fillestare duke u treguar shpesh jotransparente me klientët. Kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, numri i transaksioneve me vlerë të madhe të shlyera gjatë vitit 2011 rezulton të jetë rritur me 3.9%, ndërsa vlera e transaksioneve të shlyera është ulur me 12.4%. Mesatarisht, çdo ditë janë procesuar dhe shlyer rreth 292 transaksione me vlerë të madhe me një qarkullim mesatar ditor prej 14.75 miliardë lekësh. Nga të dhënat e fundit janë procesuar 1,376 transaksione më shumë, ose një rritje prej rreth 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë ia dedikon këtë rritje gjatë 2-3 viteve të fundit automatizimit të pagesave të Thesarit nga ana e Ministrisë së Financave, në muajin mars 2010, të cilat përbëjnë një peshë materiale si në numër dhe në vlerë ndaj totalit të pagesave të klientëve në sistemin e pagesave të mëdha. Ndërsa edhe sistemi i klerimit të pagesave me vlerë të vogël ( AECH ) njohu rritje. Gjatë 2011-ës, në sistemin e pagesave të vogla u kleruan 183,342 urdhërpagesa, me një vlerë mesatare të shlyer për transaksion prej 156 mijë lekësh. Mesatarisht, çdo ditë në sistemin e pagesave të vogël janë procesuar rreth 1,443 pagesa, me një vlerë mesatare ditore prej 225 milionë lekësh. Gjatë këtij viti, numri i bankave të licencuara si emetuese kartash, që ofrojnë shërbimin e tërheqjes cash nga bankomatet (pajisjet ATM), ishte 14. Nga bankat që emetojnë karta, vetëm 8 banka (nga 7 në fund të vitit 2010) janë njëkohësisht të licencuara edhe si pranuese kartash, duke ofruar shërbimin e pranimit të pagesave me karta në pikat e shitjeve, nëpërmjet pajisjeve POS të vendosura në dyqane, restorante, hotele apo dhe në qendra tregtare. Gjatë këtij viti, numri i pajisjeve ATM është rritur me 2.9% në krahasim me fundin e vitit 2010. Nga totali i transaksioneve, rreth 96% e përfaqësojnë tërheqjet cash nga ATM-të dhe vetëm 4% janë pagesa klientësh me karta në POS-e, tregues ky i një ekonomie ende me përdorim të lartë të cash-it. Mbështetur në raportimet e bankave, kartat e debitit përbëjnë 96% të totalit të numrit të kartave në qarkullim, ndërsa sipas markës apo llojit të operatorëve që i procesojnë ato, kartat VISA zënë përqindjen më të madhe të totalit, prej rreth 83%, ndjekur nga MasterCard. Maestro dhe American Express përbëjnë një peshë relativisht të vogël. Vetëm dy banka emetojnë karta lokale, të cilat zënë vetëm 1.6% të totalit të kartave në qarkullim.